Fermerët e shqetësuar me diskriminimin e pagesave dhe subvencioneve
Rahovec, 17 shtator - Pas problemeve që janë paraqitur gjatë aplikimit për pagesa direkte-subvencione që jepen nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ku një pjesë e madhe e fermerëve nuk kanë mundësi të gëzojnë të drejtën e tyre për të aplikuar për shkak të udhëzimit të ri administrativ, gjatë ditës së enjte kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka pritur në takim përfaqësuesin e Avokatit të Popullit për regjionin e Gjakovës, Mark Kaçinari.
Latifi ka thënë se gjatë këtij takimi kemi dëgjuar shqetësimet për diskriminimin, pengesat dhe kufizimet që po u bëhen bujqve me këtë udhëzim.
"Kam kërkuar që të gjendet sa më shpejtë zgjidhje, me qëllimin e vetëm: Mos të ndëshkohen bujqit punëtorë dhe të pafajshëm të komunës së Rahovecit."
"Ne do të ndjekim gjithë hapat e nevojshëm deri në realizim të kërkesave të arsyeshme të bujqve dhe fermerëve tanë të vyeshëm. Poashtu, i siguroj të gjithë fermerët se do të përpiqemi që asnjë bujk mos të mbetet pa aplikuar”, ka thënë kryetari Latifi.