29 Mars 2023

Fermerët e ndershëm, bazë e zhvillimit të sektorit të bujqësisë

Prishtinë, 16 prill - Edhe pse ditë vikendi, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci po vazhdon aktivitetin e tij në terren për t’iu qëndruar afër prodhuesve vendor të cilët me punën e tyre të palodhshme, mundohen që konsumatorëve vendorë dhe jo vetëm t’u ofrojnë produkte të freskëta për tryezat e tyre.
   
Edhe Sadik Abiti nga fshati Pestovë i Komunës së Vushtrrisë është njëri prej tyre. Ky bujk i vyer kultivon rreth 11 hektarë me patate dhe 10 hektarë me grurë.  

Gjatë vizitës nëpër fermën e tij, i shoqëruar nga Abiti, Ministri Faton Peci pa nga afër veprimtarinë e tij ditore dhe bashkëbiseduan rreth risive të përkrahjes përmes Programit për Pagesa Direkte - Subvencioneve për vitin 2022, për subvencionimin e naftës dhe inputeve për plehërim pranveror si për kulturën e patates ashtu edhe për grurin.

“Bujqit e ndershëm e punëtorë si Sadiku janë baza e zhvillimit të sektorit të bujqësisë; e ne duke patur shembuj të tillë, krijojmë politika që favorizojnë bujqit meritorë e faqebardhë”, shtoi Ministri Peci.

Ndryshe, përmes Programit të Pagesave Direkte këtë vit nënsektori i grurit do të subvencionohet me 474 Euro për hektar, ndërsa patatja me 654 Euro për hektar.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. (Qendra Nacionale të Xhudos në Pejë, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)