Fermerët e Dukagjinit, bëhen me qendër grumbulluese
Pejë, 21 maj - Fermerët e rajonit të Dukagjinit, që nga sot, ruajtjen, klasifikimin, kalibrimin dhe shitjen e prodhimeve të tyre bujqësore do të mund ta bëjnë në qendrën e re grumbulluese për pemë dhe perime në fshatin Raushiq të Pejës.
Kjo qendër është inauguruar sot në praninë e zyrtarëve më të lartë të institucioneve vendore. Kjo qendër grumbulluese, e cila është ndërtuar në bazë të standardeve evropiane dhe ka kapacitete rajonale është bashkëfinancim i Ministrisë së Bujqësisë dhe kompanisë Kelmendi Gmbh, e cila për ndërtimin e saj ka përfituar grant qeveritar në vlerë prej 1 milion euro.
Në përurimin e saj, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se investimet e tilla ndikojnë në rritjen e prodhimit bujqësor dhe krijojnë vende të reja të punës, në zonat ku ndërtohen.
Ai tha se edhe në të ardhmen, Qeveria e Kosovës, do të përkrah projektet e tilla, të cilat ndikojnë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në krijimin e një sigurie më të madhe për fermerë.
Në kuadër të projektit të ri kemi planifikuar edhe fondin prej 1.5 miliardë euro, mjete këto që do tju ndahen bizneseve të tilla, si kjo e Kelmendit, bizneseve të vogla dhe të mesme. Gjithashtu, ftoj edhe ndërmarrësit e rinj, të cilët planifikojnë të hapin biznese të reja, të përgatiten për të aplikuar dhe për të përfituar mbështetje prej këtij fondi. Ndërsa, në kuadër të projektit të ri për zhvillimin ekonomik, ne kemi planifikuar edhe 500 milionë euro për sektorin e bujqësisë, ku përmes këtij investimi do të arrijmë të krijojmë edhe 50 mijë vende të reja të punës në këtë sektor, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se angazhimet e tyre për krijimin e një klime më të mirë biznesore do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, ka treguar se ndërtimi i këtyre qendrave është shumë i rëndësishëm për fermerët, pasi që ata në vazhdimësi kanë pasur probleme të mëdha për ruajtjen e prodhimeve të tyre bujqësore dhe krejt kjo, sipas tij, në mungesë të këtyre qendrave grumbulluese.
Projekti i qendrës së re grumbulluese i kësaj kompanie është njëri nga tri projektet e mëdha që kemi nisur në tri rajone të Kosovës, i cili iu mundëson fermerëve anë e mbanë vendit, por në veçanti fermerëve të rajoneve përkatëse që ti ruajnë prodhimet e tyre bujqësore, duke ua lehtësuar atyre edhe plasimin e prodhimeve të tyre në tregun vendor dhe në atë të huaj. Kjo qendër, të cilën e kemi mbështetur përmes granteve investive në vlerë prej një milion euro, krijon mundësi për rritjen e prodhimtarisë bujqësore dhe rritjen e cilësisë së këtyre prodhimeve, tha ministri Stavileci.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i kompanisë Kelmendi Gmbh, Bajram Kelmendi, tha se kjo pikë grumbulluese do tiu ofrojë shërbime të gjithë fermerëve të rrafshit të Dukagjinit dhe mbarë Kosovës. Sipas tij, kjo qendër ka qenë shumë e domosdoshme për këtë rajon.
Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, krahas mbështetjes së qendrës grumbulluese në rajonin e Dukagjinit me 1 milion euro, përmes granteve investive e ka mbështetur me po kaq mjete edhe ndërtimin e një qendre të ngjashme në rajonin e Anadrinisë dhe një tjetër në rajonin e Anamoravës.