22 Dhjetor 2024

Fermerët amerikanë po ballafaqohen me pasojat e pandemisë

Florida, 12 maj - Ushqime me vlerë prej miliarda dollarësh do të prishen në Florida, pasi fermerët e këtij shteti nuk janë në gjendje t'i shpërndajnë pemët dhe perimet e tyre në restorantet të cilat tani kanë nevojë për më pak furnizime se sa më parë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Më e njohur për mijëra kilometra plazhe të bukura, Florida, falë klimës dhe tokës bujqësore, kultivon disa nga frutat dhe perimet e cilësisë më të lartë në Shtetet e Bashkuara.

Mbi 47,000 ferma tregtare në këtë shtet kultivojnë lloje të shumta të perimeve dhe frutave, nga agrumet deri tek fasulet dhe manaferrat.

Klima dhe toka bujqësore e cilësisë së mirë nxiti familjen italo-amerikane DiMare të shpërngulej nga Bostoni në Florida në vitet 1930.

Si adoleshentë, vëllezërit Dominic, Joseph dhe Toni dikur shitnin fruta nga një kamion, por biznesi i tyre u bë i suksesshëm, dhe ata hapën një dyqan, pastaj një tjetër.

Në vitin 1945 ata ishin në gjendje të blinin fermën e tyre të parë tregtare.

"Unë jam nipi i themeluesve, gjyshi im të cilit unë i mora emrin, Anthony dhe dy vëllezërit e tij themeluan kompaninë 91-vjeçare. Unë, vëllezërit dhe kushërinjtë e mi jemi brezi i tretë në biznesin familjar. Babai im dhe kushëriri i tij janë dy presidentët përkatës të operacioneve në Florida dhe Kaliforni, ata janë akoma shumë të angazhuar. Unë mendoj se ne kemi akoma dhjetë anëtarë të familjes të përfshirë në këtë biznes", thotë Anthony DiMare, nënpresident i kompanisë “DiMare”.

Sot fermat e kompanisë “DiMare” kultivojnë fruta dhe perime në Kaliforni, Teksas, Arizona, Pensilvani dhe Masaçusets. Të parët që ndjenë efektin e pandemisë së koronavirusit në biznes ishin fermat e domateve në Florida.

"Për fat të keq, pandemia goditi në mementin më të keq për ne, duke shkaktuar mbylljen e restoranteve dhe sektorëve të ushqimit. Tetëdhjetë për qind e biznesit, tregut tonë zakonisht janë shërbimet e ushqimit, restorantet, anijet turistike, dhe parqet. Kur shpërtheu pandemia dhe këta sektorë u mbyllën ne mbetëm në një pozitë të vështirë".

Mijëra ferma si ajo “DiMare” ekzistojnë në Florida. Ato po përpiqen ta trajtojnë situatën sa më mirë që munden, disa prej tyre po japin ushqime falas për të varfërit ose ata që humbën vendet e punës, të tjerët po i shesin produktet e tyre me çmime shumë të ulëta.

Qeveria amerikane ka ndarë 349 miliardë dollarë për të mbështetur bizneset e vogla dhe punonjësit e tyre. Qeveria gjithashtu ka ndarë 9,5 miliardë dollarë të tjera për të ndihmuar blegtorinë dhe fermat bujqësore që po vuajnë nga pasojat ekonomike të pandemisë. Pa një fund të masave kufizuese në horizont, fermerët në Florida shpresojnë se virusi do të dobësohet në muajt e verës.

“Ndryshimi i stinëve dhe masat e distancimit fizik mund të ndihmojnë në uljen e numrit të të infektuarve. Pra të dyja së bashku, jo vetëm ndrrimi i stinëve të motit. Unë mendoj se kjo është në përputhje me ato që kemi parë në pjesë të tjera të botës, ku vazhdon të ketë përhapje të virusit, pavarësisht se ato janë në hemisferën jugore, si Australia dhe Afrika Jugore, ose në vendet tropikale me mot të ngrohtë", thotë Marc Lipsitch, epidemiolog në Universitetin e Harvardit.

Por askush nuk mund ta thotë këtë me siguri, dhe kjo po rrezikon mbylljen e bizneseve si kompania “DiMare”.

/Zëri i Amerikës/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)