Fermerët amerikanë në vështirësi
Washington, 13 shtator - Megjithëse bursa amerikane vazhdon të përjetojë fitime rekord dhe shifrat e punësimit në Amerikë janë inkurajuese, fermerët vazhdojnë të përballen me kostot e larta të farërave dhe plehut kimik.
Kjo ndodh në një periudhë kur kërkesa dhe çmimet për produktet e tyre janë të ulëta. Këto vështirësi ekonomike kanë një efekt rrënues që shtrihet përtej fushave me të mbjella.
Panairi i përvitshëm i fermerëve që zhvillohet këtë radhë në shtetin Illinois është ndër më të mëdhenjtë në botë.
Aty mblidhen furnitorët dhe prodhuesit e makinerive, për të demonstruar produktet dhe paisjet e tyre më të fundit.
Këtu fermerët kërkojnë të zbulojnë se çfarë mund ta bëjë punën e tyre në fushë më të efektshme dhe më të lehtë.
Por, fermeri Jeff Fisher mundet vetëm të sodisë në këtë panair...
“Çmimi për këtë makineri mbjellëse është çerek milioni dollarë, ndërsa sipas standarteve të sotshme konsiderohet si e përmasave të mesme. Mua më duhet një paisje mbjellëse, por nuk e përballoj dot me këtë nivel çmimesh”, thotë fermeri Josh Fisher, nga shteti Illinois.
Kanë kaluar pesë vjet që kur zoti Fisher mundi të blejë paisje të reja. Ajo ishte e vetmja periudhë kur ai pati fitim.
“Fermat përballen me vështirësi ekonomike. Nuk ekziston më niveli i fitimit. Kemi humbje ndërsa çmimi i prodhimit të misrit është realisht më i lartë se ai që reflektohet në listën e çmimeve të Bordit të Tregtisë”, thotë zoti Fisher.
Sipas Departamentit të Bujqësisë, e ardhura mesatare neto e fermerëve gjatë vitit 2016 ishte në nivelin më të ulët që nga viti 2009, por parashikohet një rritje modeste gjatë vitit 2017. Vite të tëra vështirësish për shumë fermerë amerikanë po e shtrijnë ndikimin përtej bujqësisë.
“Shoqata e Prodhuesve të Paisjeve raportoi nivele të ulëta të shitjeve të paisjeve për fermat, që do të thotë se firma si ‘Caterpillar’ dhe ‘Deere’ gjenden në telash”, thotë Tamara Nelsen, e Byrosë së Fermerëve të Illinois.
Zonja Nelsen thotë se rënia e shitjeve të paisjeve përkthehet në humbje të vendeve të punës në fabrikat që mbështeten tek blerjet nga fermerë si zoti Fisher.
“Nëse një fermer nuk e blen dot një makineri, atëherë të 25-ë punëtorët dhe metalurgët që e prodhojnë, si dhe ata që merren me pjesët e këmbimit, do të humbasin vendet e punës. Pra, duhet një treg i mirë për fermerët, ashtu siç u duhet edhe prodhuesve të makinerive”, thotë zonja Nelsen.
Marc Bremer mbjell misër dhe sojë në fermën e tij në Illinois. Ashtu si zoti Fisher, edhe ai po përpiqet të vazhdojë punën me paisjet e vjetra.
“Do të donim të blinim teknologjinë e re, por ajo vjen me çmim të lartë”, thotë zoti Bremer.
Ndërsa ai nuk mendon se mund të blejë ndonjë paisje të re, zoti Bremer është gjithashtu i shqetësuar për të korrat e këtij viti për shkak të thatësirave.
“Nuk ka garanci që do të ketë reshje. Nuk kemi garanci për nivelin e çmimeve si dhe të të korrave. Është një sfidë e vazhdueshme”, thotë zoti Bremer.
Megjithëse nuk ka siguri se edhe viti i ardhshëm do të jetë ndoshta më i mirë, fermer Fisher ende shpreson.
“Jemi pothuajse në fundin e trajektores së rënies. Shpresoj mos të bëhet më keq”, thotë zoti Fisher.
Por, vetëm pas pak javësh, ai do të përballet me pjesën më të vështirë të punës së fermerëve – korrjen e misrit dhe të sojës.