Fara e specave e importuar nga Serbia, dëmton bujqit
Prishtinë, 27 prill - Cilësia e dobët e farës së specave, e importuar nga Serbia, u ka shkaktuar probleme të shumta bujqve të Kosovës.
Ata thonë për Radio Kosovën se e gjithë puna e tyre pranverore ka shkuar dëm, meqë fara nuk ka dhënë fidanë dhe si pasojë janë detyruar që për herë të dytë të blejnë farën e specave.
Fazli Hoti bujk nga Krusha e Madhe këtë vit kishte planifikuar që t`i mbillte rreth pesë hektarë me kulturën e specit. Mirëpo, që në fillim të sezonit ai është ballafaquar me problemin e cilësisë së farës.
Ai thotë se mospërshtatja e farës në kushtet klimatike të Kosovës është njëri nga faktorët për rendimentin e ulët mesatar që realizohet në Kosovë. Por, kësaj radhe ai dyshon se fara e importuar nga Serbia ka qenë e prishur dhe si pasojë nuk ka mbirë.
Ne i kemi rimbjellë rasatet por dështimi i farës së specave në fillim na ka shkaktuar mjaftë dëme sepse kjo ka bërë që rendimentet të jenë me shumë vonesë. Dështimi i punës është e rëndë për neve sepse ne varemi nga kjo. Nga specat e sigurojmë bukën e gojës për anëtarët e familjes sonë, tha ai.
Në anën tjetër zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi, tha për Radio Kosovën se kjo agjenci është duke i zhvilluar hetimet për të gjetur shkaktarin e dështimit të farave që janë importuar nga Serbia.
Fara ka dështuar në shumicën dërmuese, ne i kemi dërguar mostrat në laborator për verifikim. Por për tu testuar kërkohet një kohë më e gjatë që të dimë se a është problemi te fara apo kanë ndikuar kushtet klimatike që ka ardhur deri te mos mbirja e saj. Pa rezultate nuk mund të konfirmojmë se a ka qenë problemi i farës apo jo, theksoi ai.
Ky problem i bujqve është ngritur edhe në Kuvendin e Kosovës nga deputeti Afrim Hoti.
Përpos konkurrencës së pabarabartë me produktet e vendeve fqinje, bujqit në Kosovë duhet të ballafaqohen edhe me koston e farës së prishur që vjen nga Serbia. Edhe ajo farë që importohet nga Serbia dhe që nuk është e dështuar plotësisht, cilësia e saj është shumë e dobët duke sjellë rendimente shumë të ulëta, tha Hoti.
Sipas zyrtarëve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, nëse analizat tregojnë se fara ka qenë e prishur, atëherë do të merren masa ndaj importuesve konform ligjeve në Kosovës.
/rtk/