FAO dhe IADK prezantojnë rekomadimet për digjitalizimin e bujqësisë në Kosovë
Prishtinë, 5 korrik - Digjitalizimi i bujqësisë në Kosovë do të ndihmonte fermerët kosovarë të përmirësojnë qasjen në treg dhe të rrisin prodhimin bujqësor, duke zvogëluar njëkohësisht edhe ndikimin mjedisor.
Sipas një hulumtimi të financuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) dhe realizuar nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK), rreth 67% e ekonomive bujqësore e konsiderojnë investimin në teknologji të informacionit dhe komunikimit si të rëndësishme për të ardhmën.
Mirëpo rreth 96% e përfaqësuesve të ekonomive bujqësore deklaruan se nuk ka asnjë program të disponueshëm në zonën e tyre që fokusohet në bizneset digjitale.
Gjithashtu ekonomitë bujqësore nuk kanë qasje në burime financiare për të investuar në teknologji të reja (63%) si dhe qasje në mbështetje dhe trajnim (44%).
Për më tepër hulumtimi tregon se gratë dhe rinia përballen më sfidat më të mëdha në bujqësi dhe se mosha e popullsisë fermere po plaket.
Gjithashtu shumica e ekonomive bujqësore zotërohen nga burrat, ndërsa gratë kanë pjesëmarrje të ultë në pozitat menaxheriale në ekonomitë bujqësore. Gratë poashtu kanë sfida me qasjen në financa meqë pronësia është në emër të burrave.
Ky hulumtim ka përdorur metoda kuanitative dhe kualitative për të identifikuar nevojat dhe boshllëqet për përdorimin e teknologjive digjitale dhe jodigjitale në zonat rurale.
Më specifikisht, dy anketa janë realizuar – një me 203 amvisëri bujqësore dhe tjetra me 52 palë të interesit në bujqësinë digjitale. Gjithashtu dy fokus grupe janë organizuar për të mbledhur informata kualitative për këtë cështje.
Koordinatori i FAO-s në Kosovë, Naser Krasniqi tha se rekomandimet e nxjerra nga ky hulumtim do të tregojnë një rrugë të qartë për përcaktimin e një vizioni të qartë strategjik për bujqësinë digjitale në Kosovë.
Ndërsa Sophie Treinen, ish Udhëheqëse e Ekipit për Bujqësisë Digjitale në Zyrën Regjionale për Evropë dhe Azinë Qëndrore, ritheksoi se “FAO jo vetëm që mund të ofrojë mbështetje për transformimin digjital të bujqësisë në Kosovë duke ofruar udhëzime për zhvillimin e një kornize strategjike për bujqësinë digjitale, por edhe duke kapitalizuar praktikat premtuese nga rajoni dhe duke pilotuar fshatrat digjitale në Kosovë.”
Zëvendësministri i MBPZHR-së, Imri Demelezi tha se digjitalizimi është pjesë kyce për zhvillimin e bujqësisë dhe shprehu përkushtimin e Ministrisë për krijimin e kushteve më të mira për përdorimin e teknologjisë digjitale për fermerët.
Ky përkushtim vie mu në kohën kur hulumtimi vë në pah se fermerëve në Kosovë u mungojnë aftësitë e buta, mjetet financiare dhe vullneti për të filluar përdorimin e mjeteve digjitale më të avancuara.
Prandaj si masa prioritare rekomandohet krijimi i kushteve bazë për digjitalizim përmes zhvillimit të kapaciteteve për fermerët dhe mbështetjes publike për infrastrukturat digjitale; lehtësimi i mbledhjes së të dhënave më të mira për sektorin e bujqësisë; investimi në platformat që lehtësojnë lëvizjen e produkteve bujqësore nga fermerët te konsumatorët urbane; rritjen e qasjes në kredi për ekonomitë bujqësore; rritjen e ndërgjegjësimit për përfitimet e digjitalizimit në bujqësi si dhe bashkëpunim gjithëpërfshirës mes palëve të ndryshme në sektor, publike, privare, akademisë e shoqërisë civile për të zbatuar programet që lidhen me bujqësinë digjitale, që përfshin edhe pylltarinë dhe zhvillimin rural.
Rekomandimet janë diskutuar në grupe punuese dhe pas komenteve të pjesëmarrësve, ato do të finalizohen dhe do të dërgohen nga IADK te FAO dhe MBPZHR. Një grup punues shumëpalësh pritet të formohet më vonë nga Ministria me mbështetjen e FAO-s për të hartuar strategjinë për bujqësinë digjitale të Kosovës.