FAO: Bota duhet të jetë e aftë të shmangë një krizë ushqimesh
Romë, 7 shtator - Agjensia e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë, FAO thotë se bota duhet të jetë e aftë të shmangë një krizë ushqimesh si ajo e vitit 2008, duke shtuar se çmimet në gusht janë normalizuar.
Megjithatë, organizata paralajmëron se rreziqet mbeten të larta.
Shefi i FAO-s, Jose Graziano da Silva ka bërë thirrje për më shumë veprime ndërkombëtare për qetësimin e tregjeve.
\"Nuk kemi arsye të dyshojmë se për momentin do të ketë ndonjë krizë në përgjithësi, e në veçanti krizë ushqimi. Duhet të jemi vigjilentë ndaj çmimeve\", tha Jose Graziano da Silva.
Ndërsa përfaqësuesi tjetër i FAO-s, David Hallam deklaroi se tregu global bujqësor po përballet me shumë vështirësi, për shkak të situatës në SHBA.
\"Ulja e prodhimit në SHBA për shkak të thatësirës ka pasur pasoja si në stoqet, ashtu edhe në çmime\", tha David Hallam.