Fakulteti i Bujqësisë bëhet me fidanishte eksperimentale
Prishtinë, 7 qershor - Në vitin e ardhshëm Fakulteti i Bujqësisë do të arrijë të prodhojë rreth 15 fidanë të pemëve.
Kjo falë ngritjes së një fidanishtje eksperimentale nga organizata turke TIKA, e cila ka marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Bujqësisë dhe institucionet shkencore dhe kërkimore.
Pemishtja eksperimentale që u përurua sot në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë është një projekt katërvjeçar, por sipas ekspertëve, efektet pozitive të këtij projekti janë shumëvjeçare.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, tha se për të avancuar sektorin e bujqësisë nevojitet mobilizimi i të gjitha palëve që në forma të ndryshme përfshihen në këtë sektor. Sipas tij, hulumtimet dhe kërkimet që po bëhen dhe që do të bëhen do ti shërbejnë drejtpërdrejtë zhvillimit të bujqësisë.
Në vizitat e shpeshta që kemi në terren, shohim se aty ku ka arritur të depërtoj një këshillë praktike e ndonjërit prej profesorëve apo ekspertëve të mirëfilltë të fushës së bujqësisë, ka edhe rezultate të shkëlqyeshme."
"Prandaj, në këtë vit, njëri prej projekteve kryesore që kemi është ai i shërbimeve këshilluese, i cili do të jetë një mundësi e mirë për tu përfshirë edhe personeli akademik dhe studentët e Fakultetit të Bujqësisë, që të ofrojnë këshilla praktike për fermerët dhe agrobizneset tona, sepse ata janë në fokus të të gjitha politikave që ne i bëjmë bashkarisht, tha Stavileci, duke shtuar se lëvizjet pozitive dhe gjallërimi i sektorit të bujqësisë po krijon edhe një besim shtesë tek të gjithë donatorët.
Koordinatori i TIKA-s, Adem Urfa, tha se në këtë fidanishte do të bëhet për herë të parë prodhimtaria e fidaneve të pemëve. Sipas tij, projekti është 4 vjeçar, por ndikimet e tij do të jenë 20 vjeçare.
Prej vitit të ardhshëm do të kemi 15 mijë fidane të prodhuara në këtë fermë dhe pas vitit të dytë kjo do të rritet në 70 mijë. Kjo fidanishte e instaluar do të prodhojë 20 vjet nga 70 mijë fidanë për çdo vit, tha Urfa. Ai tregoi se në kuadër të projektit do të organizohen edhe trajnime për studentët dhe profesorët e Fakultetit të Bujqësisë.
Ndërsa, Songul Ozan, Ambasadore e Turqisë në Kosovë, tha se kanë implementuar shumë projekte dhe se do ta mbështesin Kosovën në të gjitha fushat që të mëkëmbet sa më shpejt.
I pranishëm në përurimin e kësaj fidanishtje ishte edhe rektori i UP-së, Mujë Rugova, i cili tha se bëhet fjalë për një fermë që do të jetë edhe ekonomike, e cila vetëm në fillim do të shërbejë si eksperimentale për studentët e Fakultetit të Bujqësisë.
Të ardhurat e grumbulluara nga kjo fidanishte do të shfrytëzohen për nevoja materiale të Fakultetit të Bujqësisë.