22 Dhjetor 2024

Evidentohen 428 uzurpues të pronës komunale

Mitrovicë, 2 dhjetor - Disa muaj pas fillimit të evidentimit të pronës komunale nga  Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë e Komunës së Mitrovicës janë evidentuar 428 uzurpues. Drejtuesit e kësaj drejtorie thonë se numri i uzurpatorëve është më i madh, por këto janë raste të konfirmuara në bazë të dokumentacionit.

Drejtori i kësaj drejtorie, Hetem Geci, tha se qëllimi është lirimi dhe rregullimi i pronës komunale. Geci tha se puna në terren ka nisur prej marsit të këtij viti dhe deri me tani janë identifikuar më shumë se 400 prona të uzurpuara komunale. “Uzurpimi i pronave komunale ka marrë hov pasluftës, mirëpo do të ndryshoj gradualisht dhe nuk do të lejohen gjëra të tilla”.    

Ai theksoi se qytetarët duhet ta kuptojnë se prona komunale nuk mund të përvetësohet. “Sikur në qytetet tjera edhe në Mitrovicë problemet me uzurpime janë të mëdha, mirëpo të gjithë duhet të kuptojnë se këto gjëra janë të rregulluara me ligj andaj edhe ndaj të gjithë uzurpatorëve do të veprohet në bazë të ligjit”.

Drejtori Geci, sqaroi se tani ka filluar edhe shpërndarja e njoftimeve për të gjithë uzurpatorët e pronës komunale në Mitrovicë, në mënyrë që të fillohet me procedurat e sqarimit të gjendjes dhe rrethanave. “Nëse për 30 ditë uzurpatorët nuk kthejnë përgjigje me shkrim për rrethanat eventuale të posedimit të pronës dhe shfrytëzimit arbitrar të pronës komunale, atëherë do të procedohet me masat tjera të parapara me ligj”.

Nga angazhimi i deritashëm në terren, sipas tij, janë evidentuar rreth 30 hektarë tokë komunale të uzurpuar, ndërsa që kjo hapësira e uzurpuar sigurisht është shumë më e madhe dhe do të verifikohet në ditët në vazhdim.

Ai tregoi se me qëllim të lirimit dhe rregullimit të pronës komunale, kryetari i komunës, ka marrë vendim që të formoj dy grupe punuese. “Njëri grup është formuar nga Drejtoria e Gjeodezisë, Pronës dhe Kadastrit që do të evidentoj tokat e uzurpuara komunale, ndërsa grupi i Drejtorisë së Urbanizmit do të evidentoj lokalet dhe banesat e uzurpuara”.

Lidhur me kohëzgjatjen e angazhimit të këtyre grupeve, ai tha se ato do të punojnë në vazhdimësi, në mënyrë që për asnjë tokë, lokal apo banesë të mos ketë konfuzion në lidhje me pronarin.   

Nga të dhënat e ofruara nga drejtori i kësaj drejtorie, Hetem Geci, shihet se komuna e
Mitrovicës ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 11624.71.13 hektarë. Nga kjo,  sipërfaqe e pronës komunale në qytete është 258.38.47 hektarë dhe sipërfaqe e pronës komunale jashtë qytetit 11.366.32.66 hektarë.

Angazhimi për evidentimin e pronave të uzurpuara është përshëndetur edhe nga këshilltarët e Kuvendit të Komunës në seancën e fundit. U tha se kjo është dashur të bëhet shumë më herët në mënyrë që të sqarohet situata për të marrë dhe të merren vendime lidhur me këtë problem shumë serioz.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)