“Eurofruti” shembull ideal i grumbullimit dhe përpunimit të produkteve vendore
Prishtinë, 25 prill - Nën moton e tij “Afër prodhuesve vendor”, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci vizitoi sot Bejtush Gashin tek pika e tij grumbulluese dhe përpunuese “Eurofruti”, e cila gjendet në Fshatin Mramor të komunës së Prishtinës.
Edhe kjo vizitë, sikurse të gjitha vizitat tjera të cilat i ka realizuar gjatë gjithë kësaj kohe Ministri Peci në terren janë bërë me arsyen e vetme që nga afër të bashkëbisedoj dhe të njihet me të gjithë akterët e zinxhirit të vlerës, që nga mbjellja, kultivimi e deri tek vjelja e prodhimit, përpunimi dhe plasimi i tyre në treg.
Gjatë vizitës nëpër ambientet e kompanisë, Ministri i MBPZhR-së, Faton Peci u shpreh se puna e Bejtushit dhe kompanisë së tij mbetet shembulli ideal për t’u ndjekur për të gjithë agro-përpunuesit qofshin ata vendor, qofshin nga vendet e rajonit.
Ndryshe, kompania “Eurofruti” e cila nën ombrellën e vet ka 22 depo grumbulluese në tërë Kosovën, 32 punëtorë të rregullt e deri 120 të angazhuar me punë sezonale, grumbullon, përpunon dhe paketon mjedrën, manaferrën, boronicën, dredhëzën, kumbullën e kërpudhën dhe falë standardeve të arritura evropiane, eksporton rreth 1500 ton fruta në vendet e Evropës, si: Itali, Gjermani, Austri, Zvicër e Turqi.