Është përmbyllur fushata për produktet e qumështit
Prishtinë, 29 qershor - USAID/KPEP ka bërë sot përmbylljen e fushatës së produkteve të qumështit. Në përmbylljen e këtij evenimenti, përveç përfaqësuesve të USAID-it dhe të KPEP-it, mori pjesë edhe Blerand Stavileci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
David Cowles- drejtor i KPEP tha se qëllimi i fushatës ka qenë që të rritet vetëdija e konsumatorit për vlerat e qumështit. Mesazhi kryesor është vlera e lartë e prodhimeve kosovare dhe këtë kemi dashur që ta promovojmë; në fillim për fëmijët e shkollave, duke vazhduar tutje edhe për të gjitha shtresat e tjera të shoqërisë.
Duke e marrë fjalën në këtë takim z. Blerand Stavileci, ministër i MBPZHR ndër të tjera tha se USAID ka bërë punë të madhe në këtë aspekt dhe u jemi falënderues të mëdhenj për këtë dhe për të gjitha ndihmat që po i bëhen sektorit të bujqësisë.
Do të thosha, vazhdoi tutje ministri Stavileci, që mos të jetë vetëm 1 qershori i shënuar si dita e qumështit, por që i gjithë muaji qershor të jetë muaj i qumështit.
\"Ne gjithmonë jemi munduar ti dalim në ndihmë fermerëve në përgjithësi, e posaçërisht fermerëve të cilët merren me prodhimtarinë e qumështit, duke përmbushur kërkesat e tyre me subvencione dhe grante dhe jemi duke vazhduar tutje me ndihma. E dimë se këto ndihma mbase nuk janë të mjaftueshme, por po mundohemi që sado pak tua lehtësojmë gjendjen në të cilën ata ndodhen dhe besoj që në të ardhmen e afërt këto ndihma do të jenë edhe më të mëdha. Falënderojmë USAID që me fushatat e tyre po mundohen që të rrisin vetëdijen e popullatës për vetitë ushqyese të produkteve të qumështit\", ka përfunduar fjalën e tij z. Blerand Stavileci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural..