Ekzekutohen pagesat për vreshtarë
Prishtinë, 4 qershor - Skemat e reja të subvencionimit për vreshtarët, si rezultat i zotimeve dhe vendimeve të reja qeveritare, tashmë kanë filluar të realizohen nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Gjatë kësaj jave është bërë ekzekutimi i këstit të parë të pagesave direkte në vlerë prej 942,285 euro për subvencionimin e 1,884.57 hektarëve me vreshta, ku përfitues janë 2328 vreshtarë të rajoneve të ndryshme të vendit.
Ndërkaq, kësti i dytë, ashtu siç është premtuar, do të bëhet gjatë tremujorit të ardhshëm. Vlera totale e pagesave direkte për vreshtarë në vitin 2014 arrin në rreth 1.3 milionë euro.
Ky subvencionim është bërë me rritje, sipas premtimeve qeveritare, ku fermerët të cilët kanë të mbjellë nga 0.10 hektarë deri 100 hektarë me vreshta janë subvencionuar me nga 1000 euro për hektarë.
Ndryshe, në gjithë territorin e Kosovës, vlerësohet se janë 4965 vreshtarë, të cilët e kultivojnë rrushin në një sipërfaqe prej 3217.45 hektarë, ku varietetet për prodhimin e verës kultivohen në një sipërfaqe prej 2538 hektarë, rrushi i tryezës në një sipërfaqe prej 677 hektarë dhe rrushi për tharje në një sipërfaqe prej 2.45 hektarë.