Ekzekutohen grantet për zonat rurale më pak të zhvilluara
Prishtinë, 1 nëntor - Fermerët dhe agrobizneset, të cilat janë mbështetur përmes programit special të Ministrisë së Bujqësisë për zonat rurale më pak të zhvilluara, tashmë i kanë përfunduar investimet.
Pa vonesa nuk ka shkuar as ky proces, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, sepse ka pasur kërkesa edhe për shtyrje të periudhës për implementimin e projekteve, por shumica e atyre që tashmë i kanë përfunduar investimet, kanë bërë edhe kërkesë në Ministrinë e Bujqësisë për ekzekutimin e granteve investive.
Zonat rurale të komunës së Prishtinës, Prizrenit dhe Mitrovicës kanë qenë pjesë e skemës përkrahëse në këtë vit, të cilat janë përkrahur me rreth 1 milion euro nga kjo ministri.
Dje ka filluar ekzekutimi i granteve investive për banorët e zonave të thella rurale të komunës së Prishtinës, Prizrenit dhe Mitrovicës, të cilët sivjet për herë të parë po përkrahen përmes një programi special të Ministrisë së Bujqësisë\", ka deklaruar ai.
Sipas tij vlera përmes së cilës po përkrahen projektet e fermerëve të këtyre zonave arrin në 963 mijë euro, ku rreth 478 mijë euro grante investive janë ekzekutuar dje, ndërsa pjesa tjetër do të ekzekutohet ditëve në vijim, për shkak se jo të gjitha investimet e realizuara janë mbuluar me dokumentacion nga fermerët dhe ende nuk i kanë kompletuar dosjet e tyre në tërësi, tregon Adil Behramaj, zëdhënës i Ministrisë së Bujqësisë.
I pyetur nëse ekzekutimi i mjeteve për fermerë në ditët e fundit të fushatës elektorale ndërlidhet me afërsinë e ditës së zgjedhjeve, Behramaj thotë se gjatë gjithë vitit ekzekutohen mjete për fermerë dhe se ky është proces i rregullt, që ndëlidhet me punën institucionale dhe është shumë politike nga të tjerët, ndërlidhja e çdo shërbimi publik me politikën.
Shërbimet institucionale gjithmonë mundohen të paraqiten si të politizuara, por kjo nuk ndërlidhet aspak me politikën, por me një proces të rregullt programor në mbështetje të fermerëve, i cili kryhet gjatë gjithë vitit nga Ministria e Bujqësisë. Tash veç ka filluar ekzekutimi, por shumica e mjeteve do të ekzekutohen gjatë dyjavorit të ardhshëm, kështu që kjo nuk ndërlidhet aspak me proceset aktuale politike, por me fushëveprimtarinë institucionale, thotë Behramaj.
Në kuadër të implementimit të këtij programi, përveç produkteve malore jodrusore që janë mbështetur me 173,325 euro, është mbështetur edhe prodhimi i qumështit dhe mishit të lopëve me 583,879 euro, prodhimi i mishit të deleve me 188,077 euro dhe prodhimi i mishit të dhive me 17,998 euro.
Kufiri më i lartë i investimeve të pranueshme nga Ministria e Bujqësisë, arrin në 15 mijë euro në nënmasën e blegtorisë. Ndërsa, për grumbulluesit dhe përpunuesit e frutave të malit, kërpudhave dhe bimëve aromatike dhe mjekësore, kufiri më i lartë i investimeve të pranueshme arrin deri në 100 mijë euro.