Eksporti i produkteve bujqësore rriten për 6%
Prishtinë, 13 prill - Ministria e Bujqësisë është e fokusuar të realizojë planin zhvillimorë në dy programe qendrore: Programin Zhvillimorë Rural (grante) dhe atë të Pagesave Direkte (subvencione), në vlerën prej 43 milionë euro, tha ministri Krasniqi.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Memli Krasniqi, ka njoftuar për planin dhe prioritetet e Ministrisë për vitin 2016, si dhe të arriturat e kësaj Ministrie gjatë vitit të kaluar.
Eksporti i produkteve bujqësore të Kosovës, ka shënuar rritje për 6% në vitin 2015, krahasuar me vitin paraprak, tha ministri Krasniqi, duke iu referuar rezultateve të vitit që shkoi.
Duke folur për objektivat e këtij viti, ndërkaq, ai sqaroi se Ministria e Bujqësisë, është e fokusuar të realizojë planin zhvillimorë në dy programe qendrore: Programin Zhvillimorë Rural (grante) dhe atë të Pagesave Direkte (subvencione).
Në vijim, ministri tregoi se ka filluar faza e vlerësimit të granteve për këtë vit, në fondin e të cilit janë paraparë 23 milionë euro.
Ai në vijim bëri të ditur se Ministria ka hapur edhe fazën e aplikimit për Programin e Pagesave Direkte (subvencione), fondi i të cilit është paraparë të arrijë shumën prej 20 milionë euro.
Në vijim, ministri po ashtu sqaroi se, me qëllim që numri i fermerëve përfitues nga grantet dhe subvencionet të jetë më i madh, ministria ka ulur kriteret në formë kushtesh paraprake.
Duke u bazuar në fondin e përgjithshëm të ministrisë prej 46 milion euro, ministri u shpreh i bindur se do të përfitojnë rreth 40 mijë fermerë nga sektorë të ndryshëm nga fusha e bujqësisë.
Ai në vijim foli edhe për efektet e investimeve në bujqësi, ndërkaq, sqaroi se në vitin e kaluar ato kanë gjeneruar 1600 vende të reja të punës.
Foli më pas edhe për sektorë të tjerë në bujqësi, përfshirë këtu edhe gjendjen në pyjet e Kosovës.
Lidhur me këtë, ai vlerësoi se gjendja në pyje, përkatësisht ruajtja më e mirë e tyre do të ishte, sikur kompetencat lidhur me to ti ktheheshin ministrisë.
Në këtë kuptim, ministri foli edhe për një definim jo të saktë të kompetencave, sidomos ato që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e agjencioneve që lidhen me Ministrinë e Bujqësisë, e që përfshijnë një gamë të gjerë të veprimtarive bujqësore.
Ka sqaruar më pas edhe për infrastrukturën ligjore dhe përpjekjet për të përmbushur atë, ndërkaq, u është përgjigjur edhe shumë pyetjeve të ngritura nga anëtarët e komisionit, të cilët shprehën edhe kritika lidhur me disa veprimtari të ministrisë.