Dyfishohet buxheti për pagesat direkte në bujqësi
Prishtinë, 13 gusht - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka bërë të ditur se ka dyfishuar buxhetin për pagesat direkte subvencionet për vitin 2020.
Për përkrahjen e fermerëve përmes subvencioneve, do të jenë edhe 26 milionë euro shtesë, krahas 53 milionë eurove të buxhetit të rregullt.
Kjo është bërë e mundur përmes një vendimi të Qeverisë së Kosovës, pas kërkesës së Ministrit të MBPZhR-së, Besian Mustafa për rritjen e buxhetit për këtë program mbështetës.
”Këto mjete do të përdoren për të ndihmuar bujqit tanë të tejkalojnë sfidat e mungesës së shitjes që u shkaktoi COVID-19 sivjet, për të rritur prodhimin bujqësor vendor, për të rritur punësimin në zonat rurale, për të zvogëluar importin e produkteve bujqësore dhe për të rritur sigurinë e ushqimit që konsumojnë familjet tona”, ka thënë Ministri Mustafa.
Po ashtu, Mustafa ka njoftuar se do të subvencionohen edhe normat e interesit të kredive bujqësore për disa sektorë të caktuar të bujqësisë.