Dyfishohen sipërfaqet dhe prodhimi me mjedër
Prishtinë, 18 gusht - Kultivuesit e mjedrës që nga dje kanë filluar promovimin e prodhimeve të tyre në sheshin Nëna Terezë, në Prishtinë, ku krahas kësaj ata e kanë edhe mundësinë e shitjes së drejtpërdrejtë të prodhimeve të tyre.
Panairin për promovimin e mjedrës, sot e kanë vizituar Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë Greg Delaëie, si dhe Drejtori i misionit të USAID-it, James Hope.
Gjatë kësaj vizite, ministri Krasniqi tha se kultura e mjedrës është një nga storiet më të mëdha të suksesit ekonomik, duke treguar me këtë rast se sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë nga 400 hektarë sa ishin vitin e kaluar, këtë vit kanë arritur në mbi 1 mijë hektarë, ku bashkë me këtë ai shtoi se është rritur edhe prodhimtaria e mjedrës, ku sivjet pritet të arrijë në 5 mijë ton nw nivel vendi.
Përfitimet me këtë kulturë janë të jashtëzakonshme dhe kjo është edhe arsyeja që ne si ministri e kemi vënë në prioritetet kryesore dhe vetëm gjatë këtij viti për pemët manore, ku bën pjesë edhe mjedra po ndajmë mbi 4 milionë euro për ngritje të sipërfaqeve të reja, për avancim të atyre ekzistuese, për rritje të kapaciteteve të deponimit dhe përpunimit, e po ashtu edhe për subvencionim për pemishtet ekzistuese, tha ministri Krasniqi.
Lidhur me shqetësimet që ndërlidhen me kapacitetin grumbullues dhe deponues të pikave grumbulluese, ministri Krasniqi tregoi se ministria ka ndihmuar për të gjetur zgjidhje për grumbullim dhe ngrirje të prodhimeve me kohë. Në këtë mënyrë ai kërkoi nga pikat grumbulluese që të shfrytëzojnë këto mundësi dhe të grumbullojnë me kohë prodhimet e fermerëve.
Nga ana e tij, Ambasadori i SHBA-ve, në Kosovë, Greg Delawie, theksoi se mbështetja e zhvillimit ekonomik të Kosovës është prioritet kryesor i ShBA-ve dhe përmes aktiviteteve të USAID-it ai tha se po investojnë në edhe në zhvillimin e sektorit të bujqësisë.
Përvoja e viteve të kaluara ka treguar se ky sektor ka potencial të jashtëzakonshëm për rritjen e prodhimit dhe përpunimit dhe sipas disa vlerësimeve deri në vitin 2020 në Kosovë, 3 mijë hektarë do të përdoren për rritjen e mjedrave dhe kjo tregon se Kosova mund bëhet një furnizues i shkallës së parë i mjedrave të freskëta dhe të përpunuara jo vetëm për tregun vendor, por edhe për atë të huaj, tha ambasadori Delawie.
Në partneritet me MBPZHR-në, ai tha se do të vazhdojnë mbështetjen e zhvillimit të sektorit të bujqësisë.