22 Dhjetor 2024

Donacion në vlerë 16 210 eurosh për zhvillimin e blegtorisë

Mitrovicë, 26 mars - Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (DBZHR) në Mitrovicë ka përfituar një donacion prej 16 210 eurosh nga Asociacioni për Paqe në Kosovë (AFPK) që mbështetet nga Komuna e Goricias së Italisë.

Ky donacion do të shfrytëzohet për të mbështetur kryesisht zhvillimin e blegtorisë në Komunën e Mitrovicës.

Drejtori i kësaj drejtorie, Bislim Imeri, tha se ky donacion vjen pas një bashkëpunimi të gjatë me autoritetet e rajonit të Goricias.

Ai tha se pos donacionit, AFPK-ja është duke realizuar edhe  një projekt për trajnimin e blegtorëve në Komunën e Mitrovicës dhe atë të Leposaviqit.  

Sa i përket donacionit, ai sqaroi se një shumë prej 8000 eurosh do të ndahet për qumështoren “Aldi” në Mitrovicë, mandej 2600 euro për laboratorin e Fakultetit të Gjeoshkencave dhe Teknologjisë si dhe 5 610 euro do të ndahen në formë të subvencioneve për blegtorët që të pajisen me makina mjelëse.

“Është një donacion që sado pak do të ndihmoj në përmirësimin e kushteve në fushën e blegtorisë”.

Për të biseduar për detajet e këtyre projekteve të hënën ka qëndruar në Mitrovicë, Federico Portelli, drejtor i Bujqësisë në rajonin e Goricias dhe Davide Berutti, koordinator i projekteve, të cilët janë takuar me kryetarin e komunës, Avni Kastrati. Ata folën për rëndësinë e zhvillimit të blegtorisë dhe u zotuan për vazhdimin e mbështetjes në këtë fushë.

Ndërsa kryetari Kastrati, ka falënderuar zyrtarët e Goricias dhe ata të AFPK-së për ndihmën që po ofrojnë për blegtorët e rajonit të Mitrovicës.

“Ne vlerësojmë shumë mbështetjen tuaj meqë blegtorët tanë kanë nevojë për ndihmë, por edhe për trajnime sa i përket ngritjes së cilësisë së prodhimeve”.

Me rendësi të veçantë mbështetjen për laboratorin e Fakultetit të Gjeoshkencave dhe Teknologjisë, e ka vlerësuar edhe prodekani i këtij fakulteti, Alush Musaj. Tha se me këto mjete do të sigurohen pajisje të nevojshme për laboratorin, me çka do të avancohet puna që bëhet aty.   



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)