Dogana dhe AUV-i, do të raportojnë me shkrim për importin e grurit
Prishtinë, 10 mars - Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Fikrim Damka, shqyrtoi raportin e grupit punues, pas vizitës së bërë në Agjencionin e Ushqimit dhe të Veterinës (AUV), si dhe Doganave të Kosovës.
Deputetët, Sali Salihu dhe Adem Salihaj, anëtar të grupit punues, vlerësuan se gjatë kësaj vizite kanë hasur në të dhëna kontradiktore në mes të AUV-it dhe doganave.
Ata sqaruan se përfaqësuesit e AUV-it kanë insistuar se nuk kanë bërë kontroll të grurit të importuar si ushqim i deklaruar për kafshë, ndërsa në dogana kanë hasur në të dhëna se janë importuar më se 10 mijë tonë, të deklaruar si ushqim për kafshë.
Ata më tej sqaruan se kjo sasi e mallit, ndonëse ka hyrë në Kosovë pa iu nënshtruar obligimit të përcaktuar në emër të TVSH-së, nuk e dinë se ku ka përfunduar.
Referuesit me këtë rast, po ashtu sqaruan se grupi punues gjatë këtyre vizitave nuk ka pasur për qëllim të dijë vetëm për një kompani të caktuar importuese të këtij malli, por, për të gjitha kompanitë e vendit që merren me këtë veprimtari.
Deputeti, Shaip Muja, ndërkaq, u angazhua që komisioni me punën e tij të ndikojë në cilësinë e grurit të importuar dhe të ushqimit në përgjithësi. Importuesit, tha ai, duhet të fusin mall cilësor në vend, ndërsa çështja e evitimit të TVSH-së, është çështje e prokurorisë për të hetuar.
Se ushqimi i importuar është i cilësisë së dyshimtë, vlerësuan edhe anëtarët e tjerë të komisionit, Lahi Brahimaj e Haxhi Shala. Komisioni po ashtu ka shfaqur dyshime edhe në kredibilitetin e Institutit Bioteknik të Bujqësisë në Pejë.
Në fund të debatit, kryetari i komisionit, Damka, tha se në fillim të javës së ardhshme, Dogana, si dhe AUV-i lidhur me këtë çështje, do të sjellin raport më të detajuar në komision.
Pas këtij raporti, tha ai, komisioni do të ketë një pasqyrë më të qartë lidhur me importin e grurit gjatë vitit 2014, si dhe tremujorin e këtij viti. Në bazë të këtij raporti, vijoi ai, Komsioni do të mund të marrë hapa të mëtutjeshëm dhe adekuat.
Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi edhe një shkresë të Komisionit për legjislacion, lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/39.