22 Dhjetor 2024

Danimarka përkrah bujqësinë e Kosovës me 10.1 milion euro

Prishtinë, 2 dhjetor - Në Ministrinë e Financave sot u bërë nënshkrimi i Marrëveshjes për Projektin që Qeveria e Danimarkës ofron për sektorin e bujqësisë së Kosovës përmes projektit “Mbështetje e Danimarkës për realizimin e Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2012-2015”.

Kjo marrëveshje  u nënshkrua nga Ministri i Financave, Bedri Hamza në emër të Qeverisë së Kosovës dhe në emër të Qeverisë së Danimarkës nga zëvendësambasadori i Danimarkës në Tiranë, Flemming Gredsted, në praninë edhe të Ministrit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Blerand Stavileci.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje Ministri i Financave, Bedri Hamza  duke falënderuar zëvendësambasadorin danez, Gredsted dhe Qeverinë e Danimarkës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka bërë Republikës së Kosovës, tha se “Ne sot nënshkruam marrëveshjen për projektin që Qeveria e Danimarkës ofron për sektorin e bujqësisë të Kosovës për mes projektit “Mbështetje e Danimarkës për realizimin e Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2012-2015”.

Vlera totale e këtij projekti i cili do të realizohet brenda 4 viteve të ardhshme është 10.1 milion euro, dhe ajo paraqet një kontribut shumë të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të bujqësisë së Kosovës”.

“Ky projekt do të përmbushë objektivat e tij përmes 3 komponentëve kryesore programimi i granteve për mbështetjen e zhvillimit rural, mbështetjen për nënsektorin e hortikulturës dhe përkrahjen për gratë në sektorin e bujqësisë. Është me rëndësi gjithashtu të përmendim  që projekti përveç që mbështet përmbushjen e Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2007 – 2013, si dokument strategjik i Ministrisë së Bujqësisë, është edhe në linjë me Programin për Bujqësi nga banka Botërore, të cilin Kuvendi i Kosovës e ratifikoi kohë më parë”, tha ministri Hamza.

Ai më tej shtoi se “Qeveria e  Kosovës e konsideron bujqësinë si sektor me prioritet të lartë, dhe kjo mund të shihet edhe nga projeksioni buxhetor për vitin 2012, për të cilin janë ndarë 21.4 milion euro, e që është 56 % më shumë krahasuar me këtë vit. Jemi të vetëdijshëm se sektori i bujqësisë ka nevojë për më tepër mjete financiare, mirëpo duhet që të kemi parasysh edhe limitimet buxhetore. Në harmoni me planin për zhvillim ekonomik te Qeverisë në vitet në vazhdim bujqësia do të ketë mbështetje edhe më të madhe buxhetore”.

Zëvendësambasadori  i Danimarkës në Tiranë, Fleming Gredsted  duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë daneze për mbështetje të Republikës së Kosovës tha se  “zhvillimi i sektorit të bujqësisë ka një rëndësi të veçantë, sepse është një prej pjesëve vitale të zhvillimit ekonomik”.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci tha se “me një buxhet të dyfishuar prej 21.5 milionë euro, po ashtu edhe me projektin  e Qeverisë së Danimarkës,  Bankës Botërore dhe Komisionit Evropian, për herë të parë buxheti për sektorin e bujqësisë do të arrijë shumën prej 30 milionë euro”.

“Ne konsiderojmë se po bëjmë një hap të madh, për zhvillimin e këtij sektori dhe puna e përbashkët me partnerë të shumtë të Qeverisë së Kosovës në këtë rast me DANIDA, por edhe më shumë partnerë tjerë edhe ata që ishin pjesëmarrës me donatorë, po e shihni se edhe përkushtimi i Qeverisë,por edhe i të gjithë këtyre donatorëve,është të vazhdohet me investimin në sektorin e bujqësisë, njëri nga sektorët që do ta mbështesë rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe të ekuilibruar të ekonomisë së vendit tonë”, ka  shtuar ministri Stavileci.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)