Çmimet në Bujqësi rriten për 10.6 për qind
Prishtinë, 20 nëntor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi për TM3 2015 (2010 = 100).
Publikimi bazohet në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë.
Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, barnatoret veterinare, në kompani, në tregje dhe në vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK.
Produktet, që përbëjnë bazën për Indeksin e Çmimit të Inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet, aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet, që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2).
Brenda grupit të Mallrave dhe shërbimeve, aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji; vajëra, plehëra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtja e materialeve, mirëmbajtja e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera.
Sa i përket mallrave dhe shërbimeve, që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesat (ndërtesat e fermës, punët e tjera përveç përmirësimit të tokës, ndërtesat e tjera, struktura e tyre) dhe të tjera.
Indeksi i tremujorit të tretë të inputeve në vitin 2015 ka rritje për 0.1% për Input 1, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.
Indeksi për Input 2 ka rritje për 10.6%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.
Indeksi i inputit të përgjithshëm (Input 1+Input 2) ka rritje për 4.1% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.