Çmimet në Bujqësi pësojnë rënie për 1.4 për qind
Çmimet në Bujqësi pësojnë rënie për 1.4 për qind
Prishtinë, 27 shkurt - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi 2010 - 2014 (2010=100).
Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi përfshin të dhëna për periudhën janar-dhjetor 2010/ 2014. Publikimi bazohet në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë.
Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe vende tjera ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (CPI) nga ASK.
Produktet të cilat e përbëjnë bazën për Indeksin e çmimit të inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2).
Brenda grupit të Mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji, vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtja e materialeve, mirëmbajtja e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime tjera.
Sa i përket mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje tjera), ndërtesat dhe tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punët tjera përveç përmirësimit të tokës).
Indeksi vjetor i inputeve në vitin 2014 ka rënie për -1.4 % për Input 1 krahasuar me periudhën e njëjtë të viti 2013. Indeksi për Input 2 është rritur për 2.3 % mes viteve 2014 dhe 2013.
Indeksi i inputit të përgjithshëm (Input 1 +Input 2) gjithashtu është rritur krahasuar me periudhën e njëjte te vitit 2013 për 0.01 %.
Indeksi vjetor i Inputeve në vitin 2014 është rritur për 20.5 % për Input 1 krahasuar me vitin 2010. Indeksi për Input 2 është rritur për 5.3 % në mes viteve 2010 dhe 2014.
Indeksi i inputit të përgjithshëm (Input 1 + Input 2) është rritur gjithashtu për 14.2 % krahasuar me vitin 2010.