Çmimet e Prodhimeve blegtorale u ngritën për 0.4 për qind
Prishtinë, 18 shkurt - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi TM4- 2013 .
Në TM4 2013, Indeksi i Çmimeve të Prodhimeve blegtorale u ngritë për 0.4 %, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012. Indeksi i Çmimeve të Prodhimeve bimore ka një rritje prej 2.7 % në TM4 2013, krahasuar me TM4 2012. Indeksi total i prodhimeve bujqësore ka një rritje prej 2.1 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012.
Publikimi përfshin të dhëna prej muajit tetor deri në dhjetor të vitit 2013, (2005 = 100). Për të bërë krahasime dhe për të vërejtur ndryshimet janë prezantuar të dhëna për tremujorët e katërt (TM4) të viteve 2005 2013.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit dhe Çmimet në Bujqësi,është bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Ky grumbullim i të dhënave është bërë në treg, ferma, dhe vendet tjera ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.
Prodhimet bazë për Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve Bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore; prodhimet bimore dhe blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe; drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.
Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për kafshët dhe prodhimet blegtorale, në kuadër të blegtorisë çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve; gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve, gjithashtu çmimet janë grumbulluar për qumësht, vezë dhe mjaltë.
Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në kg, litër dhe copë.