Çmimet e prodhimeve blegtorale bien për 8.6 për qind
Prishtinë, 17 gusht - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi (TM2 2015 ) (2010=100 ).
Publikimi përfshin të dhëna prej muajit prill deri në qershor të vitit 2015 (2010 = 100). Për të bërë krahasime dhe për ti vërejtur ndryshimet janë prezantuar të dhëna për tremujorët e dytë (TM2) të viteve 2010 2015
Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë.
Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.
Prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe blegtorale.
Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Kurse, në prodhimet blegtorale, çmimet janë grumbulluar për kafshët dhe prodhimet blegtorale.
Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve.
Në kuadër të prodhimeve blegtorale, çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.
Në tremujorin e dytë të vitit 2015 indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rënie për 8.6%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014. Indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 9.2% në tremujorin e dytë të vitit 2015, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.
Ndërkaq, indeksi total i prodhimeve bujqësore ka rënie për 3.0%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.