Çmimet e prodhimeve blegtorale bien për 1.27 për qind
Në tremujorin e parë të vitit 2018, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rënie për 1.27 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.
Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për 3.72 për qind.
Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rënie për 1.81 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.
Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.
Prodhimet, të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.
Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula.
Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.