Çmimet e larta të ushqimeve, një problem global
New York, 25 dhjetor - Me afrimin e fundit të vitit 2011, çmimet globale të ushqimeve po bien disi nga niveli rekord që arritën në shkurt.
Ngritja e çmimeve ishte e dyta në tre vjet për të kompensuar dobësimin e ekonomisë.
Ekspertët thonë se nuk do të jetë e fundit, pasi jo shumë ka ndodhur për të zgjidhur problemet themelore të furnizimeve ushqimore.
Në një vit që u përfshi nga protestat në botën arabe, çmimet e larta të ushqimeve e bënë shtypjen, korrupsionin e varfërinë edhe më të patolerueshme.
Çmimet janë shumë të larta. Çfarë duhet të bëjmë? Duhet të presim derisa të ikin ata që janë në pushtet dhe tu japim një shans të tjerëve që të plotësojnë nevojat tona.
Në Afrikën Veriore zjarret ishin politike, por në Rusi në verë flakët u shkaktuan nga thatësira e tejskajshme. Një e treta e prodhimit të grurit u shkatërrua. Rusia nuk pranoi të eksportonte pjesën e mbetur.
Tregjet u luhatën dhe çmimet e ushqimeve u rritën, thotë Shenggen Fan, drejtor i përgjithshëm i Institutit Ndërkombëtar të Studimeve të Politikave për ushqimin.
Pa dyshim që është një nga shkaqet e pranverës arabe, thotë ai.
Në vitin 2008, hera e fundit që çmimet globale të ushqimit u rritën, Egjipti ishte një nga disa vendet e goditura nga trazirat dhe demonstratat e shkaktuara nga ky faktor.
Kthimi i rritjes së çmimeve në vitin 2011 ofron disa mësime të rëndësishme, thotë Shenggen Fan.
Rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë do të përsëritet më shpesh. Ky është mësimi i parë për ne. Së dyti, çmimet e ushqimeve sigurisht do të mbeten shumë të larta.
Po ashtu shton zoti Fan, këto çmime janë shumë të paqëndrueshme, sepse kërkesa po rritet dhe oferta nuk po arrin të plotësojë nevojat. Këtë vit, popullsia e botës arriti shifrën 7 miliardë dhe deri në mes të shekullit pritet të rritet edhe 2 miliardë. Popullsia në vende me ekonomi në zhvillim si Kina po ha më shumë mish, që kërkon më shumë ushqim për kafshët.
Por kërkesa për ushqim ishte vetëm një faktor, thotë profesori i Universitetit Cornell Chris Barrett.
Është edhe përdorimi i artikujve ushqimorë për prodhimin e biokarbureve, thotë ai.
Në Shtetet e Bashkuara, për herë të parë në vitin 2011 më shumë misër u përdor për prodhimin e karburantit me ethanol sesa për të ushqyer kafshët.
Ndërkohë, ritmi i rendimentit të fermave është ngadalësuar, thotë profesor Barrett.
Kjo pasqyrohet në të korrat e hidhura të investimeve shumë të dobëta në studimet e fushës së bujqësisë gjatë 20 viteve të fundit.
Kështu sot disa raste moti të keq mund të shkaktojnë dëme serioze në tregjet botërore të ushqimit. Dhe raste të tilla janë bërë më të shpeshta me ndryshimin e klimës.
Ministrat e bujqësisë nga ekonomitë e zhvilluara dhe ato në rritje u takuan për herë të parë këtë vit për të diskutuar mbi krizën. Në vitin 2009, udhëheqësit e grupit të tetëshes premtuan akordimin e 22 miliardë dollarëve për bujqësinë e vendeve në zhvillim. Por vendet me probleme financiare nuk premtuan shumë gjatë takimit.
Realitetet politike të trazirave të brendshme në ekonomitë e mëdha po bllokojnë reagimin e koordinuar të sektorit publik dhe ky është një shqetësim serioz.
Por ndërsa këto probleme të brendshme vazhdojnë, Shenggen Fan thotë se vazhdon edhe trysnia e forcave që i bëjnë çmimet të ngrihen.
Nëse nuk investojmë në bujqësi dhe nuk investojmë në prodhimin e ushqimeve, do të vazhdojmë të shohim ulje të ofertës. Ne do të vazhdojmë të shohim rënie të ofertave. Ne do të vazhdojmë të shohim rritje çmimesh.
Lajmi i mirë është se çmimet e larta i inkurajojnë gjithmonë fermerët që të rrisin prodhimin. Të korrat rekord të vitit 2011 po ndihmojnë në zbutjen e efektit të rritjes së çmimeve më shumë, megjithëse jo në të gjitha rajonet e botës.
Në Egjipt për shembull, çmimet e ushqimeve kanë vazhduar të rriten. Në vende të tjera ekspertët nuk parashikojnë ulje të kostos. Parashikimi për vitin 2012 dhe më tej është se çmimet do të jenë të larta dhe të paqëndrueshme.