Çmimet e drithërave amerikane pritet të zbresin këtë vit
Washington, 8 mars - Çmimet e misrit, sojës dhe grurit pritet të zbresin këtë vit, sipas parashikimeve të Departamentit amerikan të Bujqësisë.
Sezoni i prodhimit afron, ndërkohë që toka ende mbart shenjat e thatësirës ekstreme të vitit të kaluar.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë parashikojnë të korra të mira. Por moti mbetet një element kritik i këtyre parashikimeve.
Një stuhi dimërore përfshiu pllajat në pjesën qendrore të vendit, duke lehtësuar pak kushtet e tokës, pas thatësirës ekstreme të vitit të kaluar. Stuhija solli rreshje bore dhe ngrica në farmën e Scott Neufeldit pranë komunitetit Fairview në Oklahoma.
Ky është momenti më i mirë për rreshje.
Që nga shtatori, Oklahoma ka pasur vetëm gjysmën ose dy tretat e rreshjeve të zakonshme dhe gruri i mbjellë ishte në gjendje delikate. Fermeri Neufeld thotë se në disa nga parcelat ku ka mbjellë grurë, nuk janë shfaqur bimët e reja:
Ai thotë se të korrat e grurit do të jenë këtë vit nën sasinë normale. Edhe nëse ka rreshje normale gjatë muajve të ardhshëm të sezonit, nuk do të kapërcehej thatësira.
Meteorologu Scott Curl shpjegon se rreshjet kanë qenë nën nivel normal thuajse çdo muaj për afro 2 vjet:
Do ta kemi të vështirë. Kemi pasur mungesa për një periudhë kaq të gjatë, sa që do të duhet një kohë e gjatë të dalim nga situata.
Meteorologu Curl thotë se Oklahomës do ti duhen edhe 25-50 centimetra rreshje shtesë, përveç sasisë normale të shiut, për të kapërcyer pasojat e thatësirës.
Më shumë se një e treta e vendit po vuan nga një thatësirë e rëndë, ndërkohë që fermerët përgatiten për sezonin e mbjelljeve.
Sezoni i ri pason tre vite të korrash të dobëta për misrin dhe një vit prodhimi shumë të ulët për grurin në 2011. Parashikimet e fundit flasin për thatësirë në pjesën perëndimore të zonës bujqësore që shtrihet në qendër të vendit. Por ekonomisti i Universitetit Texas A&M Mark Welch thotë se fermerët nuk kanë nevojë për rreshje shiu për të realizuar prodhime të mira:
Me teknologjinë që aplikohet në praktikat e prodhimit bujqësor, me varietetet që kemi krijuar, është e paimagjinueshme çfarë mund të realizojmë.
Ai thotë se nuk është e zakontë të regjistrohen dy vite me thatësirë të theksuar një pas një. Po ashtu, shton ai, nuk ka shumë lidhje shkak-pasojë mes thatësirës së tokës në fillim të sezonit dhe prodhimit që realizohet në fund të sezonit. Në parashikimet e prodhimit krye-ekonomisti i Departamentit të Bujqësisë Joe Glauber është optimist.
Presim rikthimin e ritmeve normale të prodhimit. Besoj se për misrin dhe sojën do të kemi rendimente rekord. Kjo do të sjellë uljen e çmimeve.
Por ekonomisti Glauber vëren se ka bërë parashikime të ngjashme edhe vjet. Duke pasur parasysh kërkesën botërore për sojë dhe misër, kushtet e motit do të jenë faktor në çmim:
Nëse nuk ka rreshje, çmimet rriten. Nëse një front i ftohtë atmosferik sjell rreshje, çmimet bien.
Ekonomisti Mark Welch thotë se konsumatorët duhet të përgatiten për një tjetër vit me luhatje në çmimet e produkteve bujqësore.