23 Dhjetor 2024

Certifikohen grupet e grave rurale

Prishtinë, 13 dhjetor - Janë certifikuar 113 kandidatë nga organizata IADK nga komuna të ndryshme të Kosovës duke prekur të gjitha regjionet duke përfshirë edhe grupet e grave nga zonat rural në tema të ndryshme të ushqimit dhe në temat avokim dhe lobim për anëtarët e Bashkimit të Shoqatave Bujqësore të Kosovës.

Në ceremoninë e certifikimit, ku përveç drejtuesve të IADK-së (Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë), merrnin pjesë edhe kryetari i komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku dhe Drita Kadriu, këshilltare në Ministrinë e Arsimit, kjo ngjarje u vlerësua shumë e rëndësishme për krijimin e iniciativave për fillimin e bizneseve të vogla e në veçanti në emancipimin e gruas.

Drejtori ekzekutiv i IADK-së Zenel Bunjaku, tha se gratë e zonave rurale që pothuajse ishin të izoluara dhe pa mundësi të shfaqjes së zotësisë së tyre, tani do të kenë mundësi të fillojnë përpunimin e produkteve bujqësore por edhe fillimin e bizneseve të tyre.

“Pas certifikimit këto grupe të grave kanë potenciale për fillimin e bizneseve të vogla, e çka është me rendësi të fillojnë të prodhojnë produkte ushqimore që zëvendësojnë importin, e mbi të gjitha krijojnë mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës”, ka thënë Bunjaku.

Duke folur për kredibilitetin e certifikimit për prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore, Bunjaku bëri të ditur se përveç rritjes së standardeve të certifikimit janë duke punuar që së bashku me Ministrinë  arsimit të bëjnë edhe akreditimin e certifikatave që lëshohen në institucionin e tyre.

“Jemi duke punuar që certifikatat të jenë sipas standardeve dhe të akreditohen nga Ministria e arsimit, shkencës dhe teknologjisë”, ka thënë Bunjaku.

Ndërkaq kryetari i komunës Bajram Mulaku, tha se përveç traditës dhe kulturës në prodhimtarinë e patates, Vushtrria po dëshmohet si qendër edhe e kultivimit dhe përpunimit të produkteve tjera bujqësore.

Qendrën edukuese për fermerë, ai e ka quajtur një institucion të rëndësishëm i cili krijon mundësitë për hapjen e bizneseve të reja në bujqësi dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik.  Mulaku tha se IADK me qendrën e saj trajnuese po dëshmohet si organizata më kredibile në Kosovë në trajnimin dhe certifikimin në përpunimin e produkteve bujqësore.

Edhe Drita Kadriu, këshilltare e lartë në ministrinë e arsimit, tha se puna që po bëhet në IADK është pikërisht në kuadër të objektivave të mileniumit për mësim dhe edukim të vazhdueshëm në kuadër të arsimit jo formal.

Ajo i ka porositur gratë që janë certifikuar që të fillojnë menjëherë me iniciativat për hapjen e bizneseve të tyre.

Certifikimin e kanë kryer gjithsejtë 113 pjesëmarrës, si grupi i grave për përpunim të ushqimit të modulit të qumështit, pemëve dhe perimeve, grupi i grave për përgatitjen e ushqimeve tradicionale si dhe janë certifikuar fermerë dhe anëtarë nga Bashkimi i Shoqatave Bujqësore të Kosovës

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)