Çertifikohen 50 këshilltarë bujqësor
Prishtinë, 13 mars - Rreth 50 këshilltarë bujqësor nga shumica e komunave të Kosovës, tashmë janë të gatshëm tju japin këshilla profesionale fermerëve për teknologjinë dhe praktikat më të mira bujqësore në prodhimtarinë pemëtare, perimore dhe blegtorale.
Kjo gatishmëri e tyre vjen falë arritjes për tu çertifikuar, pas një trajnimi tremujor të organizuar nga programi Mundësitë e Reja për Bujqësi.
Me rastin e ndarjes së çertifikatave për këta këshilltarë, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se rëndësia e shërbimeve këshillimore qëndron edhe tek rritja e shkallës së konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore.
Me përkrahjen e fermerëve përmes shërbimeve profesionale, të cilat sipas Stavilecit kanë filluar të konsolidohen dhe fuqizohen viteve të fundit edhe në vendin tonë, investimet në këtë sektor do të jenë edhe më të suksesshme.
Ne jemi munduar që si institucion ta bëjmë punën tonë në ngritjen e një shërbimi këshillues modern dhe njëri prej departamenteve të riorganizuara është edhe ai i shërbimeve këshillimore, ku në kuadër të tij po përfshijmë edhe pjesën tjetër të shërbimeve teknike që lidhet me riorganizimin e instituteve që ekzistojnë në kuadër të ministrisë sonë, tha ministri Stavileci.
Ekzistimi i shërbimeve këshilluese dhe përqendrimi i ministrisë në këto shërbime, sipas Stavilecit, tregon rëndësinë që ato kanë për sektorin e bujqësisë, sidomos në ngritjen e vetëdijes së fermerëve për praktikat e mira bujqësore.
Ndërsa, drejtori i programit Mundësi të Reja për Bujqësi, Mark Wood, tha se gjatë këtij trajnimi tremujor janë shtjelluar tema shumë aktuale, duke u bazuar në teknologjitë e reja dhe në praktikat e mira të kultivimit, mbrojtjes së bimëve, trajtimit të pasvjeljeve, të ushqyerit, riprodhimi dhe mjelja e lopëve qumështore, si dhe shumë praktika tjera në sektorë të ndryshëm të bujqësisë.
Programi i NOA-s, në saje të një bashkëpunimi të ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë, ka organizuar trajnime intensive për ngritjen e kapaciteteve të këshilltarëve bujqësore nëpër të gjitha komunat e Kosovës, tha Wood.
E ambasadori i Norvegjisë, Jan Braathu, tha se mungesa e njohurive është një problem i theksuar në Kosovë, sepse shumë fermerë nuk janë të informuar me risitë në bujqësi.
Tash përmes këtyre trajnimeve, pra përmes aftësimit të këtyre këshilltarëve në dhënien e këshillave bujqësore, fermerët do ta kenë më të lehtë avancimin e metodave më të reja që përdoren në bujqësi dhe në këtë mënyrë do të inkurajohen edhe të rinjtë që bujqësinë ta shohin si një profesion të ardhshëm, tha ambasadori Braathu.
Ndryshe, këto trajnime kanë filluar qysh në muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe kanë përfunduar të mars të këtij viti.