Certifikohen 136 këshilltarë bujqësor
Prishtinë, 15 qershor - Shërbimi Këshillues në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural përbën një prej hallkave kryesore të avancimit të bujqësisë dhe do të jetë prioritet i ministrisë edhe në të ardhmen.
Kështu është shprehur ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për 136 këshilltarë bujqësor të sektorit publik dhe privat, të cilët kanë vijuar trajnimin në kuadër të projektit Asistencë në forcimin e shërbimeve këshilluese të MBPZHR-së dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve teknike të ofruara nga laboratorët e ministrisë, i financuar nga MBPZHR-ja dhe Bashkimi Evropian.
Gjatë kësaj ceremonie, ministri tha se ky proces i certifikimit të këtyre këshilltarëve përbën një prej hapave më të rëndësishëm në përmbushjen e objektivave të përbashkëta për konsolidimin e shërbimeve këshilluese bujqësore në Kosovë.
Si ministri, ne po përpiqemi që të modernizojmë çdo shërbim ndaj fermerëve. Javën e kaluar shpallëm disa nga rezultatet e vlerësimit preliminarë të PZHR-së dhe njoftimet për herë të parë i dërguam edhe më SMS dhe email drejtpërdrejt tek fermerët.\"
\"Para ca kohësh hapëm edhe një web faqe të veçantë për këshilla bujqësore dhe lansuam 12 video praktike për çështje të ndryshme, që besoj kanë dëshmuar përkushtimin tonë në këtë drejtim, tha ministri Krasniqi, duke shtuar se me 136 këshilltarët e certifikuar këshillat bujqësore do të jenë konkrete, profesionale dhe do të ndikojnë në ngritjen e nivelit të edukimit joformal mbi kultivimin e shumë kulturave bujqësore dhe zhvillimin e aktiviteteve të tjera në sektor.
Dëshiroj që secilin prej jush të ju ftoj që vërtetë të angazhoheni në avancimin e bujqësisë. Që të jeni në terren në gjithë Kosovën, sepse duke kryer punën tuaj me nder dhe me përkushtim ju do të ndihmoni në tejkalimin e sfidave të përbashkëta që kemi në këtë sektor.
Ju do të keni mbështetjen time të plotë në çdo hap, gjithmonë duke punuar drejt dhe sipas detyrave që na jep ligji, tha ai.
Në anën tjetër, Libor Chlad, zëvendësshef për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Prishtinë, tha se certifikimi i këtyre këshilltarëve publik dhe privat do të jetë një mbështetje e madhe për MBPZHR-në.
Bashkimi Evropian duke parë potencialet që ka Kosova në sektorin e bujqësisë, do të vazhdojë edhe më tej mbështetjen, pasi që ky është një sektor që krijon punësim dhe ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit, tha Chlad.
Bernard delHomme, zëvendësshef i Projektit të BE-së, tha se projekti për certifikimin e këshilltarëve bujqësor ka zgjatur dy vite dhe gjatë kësaj kohe ai tregoi se trajnimet janë kryer në disa nënsektorë të bujqësisë.
Ndryshe, përmes trajnimeve në kuadër të projektit Asistencë në forcimin e shërbimeve këshilluese të MBPZHR-së dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve teknike të ofruara nga laboratorët e ministrisë, i financuar nga MBPZHR-ja dhe BE-ja, janë certifikuar 136 këshilltarë bujqësor, ku prej tyre 39 janë këshilltarë publik dhe 97 privat, në mesin e të cilëve 25 janë femra.