Certifikohen 130 këshilltarë bujqësor
Kjo gatishmëri e tyre vjen falë arritjes për tu çertifikuar, pas një trajnimi gjashtëmujor të organizuar nga programi për bujqësi dhe zhvillim rural i MBPZHR-së, i mbështetur nga Banka Botërore.
Me rastin e ndarjes së çertifikatave për këta këshilltarë, sekretari i MBPZHR-së, Kapllan Halimi, tha se me përkrahjen e fermerëve përmes këtyre shërbimeve këshillimore, investimet e ministrisë në këtë sektor do të jenë edhe më të suksesshme.
Ministria e Bujqësisë, sektorin e shërbimeve këshillimore e ka vënë si prioritet në programin e saj edhe për shtatë vitet e ardhshme dhe kjo tregon edhe rëndësinë që këto shërbime kanë në sektorin e bujqësisë, sidomos në ngritjen e vetëdijes së fermerëve për praktikat e mira bujqësore dhe përgatitjen e projekteve të tyre për të aplikuar për të përfituar nga grantet investive të MBPZHR-së, ka thënë sekretari Halimi.
Ai tregon se e kanë themeluar edhe Departamentin e Shërbimeve Këshillimore, i cili sipas tij punon në ngritjen e vetëdijes së bujqve, me qëllim që ata të prodhojnë me cilësi dhe të jenë konkurrues në treg.
Ndërsa, Luciano Pasi, drejtor i konsorciumit konsulent, P.A.N.G.E.A nga Italia, Ciheam nga Italia dhe ESG nga Kosova, tha se gjatë periudhës së trajnimeve ka pasur interesim të madh nga këshilltarët komunalë, të cilët tashmë janë të gatshëm për të ofruar mbështetje profesionale fermerëve nëpër komunat e tyre.
Ndryshe, këto trajnime kanë filluar në muajin maj të këtij viti dhe kanë përfunduar në tetor të këtij viti.