Caritasi Zviceran e organizoi konferencën kombëtare për Manaferra
Prishtinë, 12 maj - Sot Caritasi Zviceran e organizoi Konferencën e Parë Kombëtare për Manaferra në Kosovë me pjesëmarrjen e të gjitha organizatave dhe institucioneve relevante vendore dhe ndërkombëtare.
Qëllimi i kësaj konference ishte ta promovojë rëndësinë e këtij sektori të bujqësisë dhe të avokojë për një mbështetje më të fortë dhe më mirë të koordinuar për prodhuesit kosovarë të manaferrave dhe shoqatave të tyre lokale dhe kombëtare.
Zëvendësministri i Kosovës për Bujqësi, z. Vezir Januzi, e nënvizoi nevojën e mbështetjes për këtë sektor dhe siguroi se institucionet e nivelit qendror do ta ndjekin aplikimin e prodhimit të integruar (PI) si një standard themelor dhe kushtëzues për fermerët që të kenë qasje në BE dhe tregjet e tjera me prodhimet e tyre bujqësore.
Folësit e tjerë në këtë konferencë ishin përfaqësues të Shoqatës Kombëtare Kosovare të Manaferrave, Universitetit të Prishtinës dhe Agjencisë Kombëtare Veterinare të Kosovës.
Të gjithë folësit nënvizuan se Kosova duhet të përqendrohet në standardizimin e prodhimeve të saj, si parakusht për të eksportuar në BE dhe tregjet e tjera.
Projekti për Zhvillim Rural dhe Bujqësor (RINGS) i Caritasit Zviceran punon në harmoni me politikat kombëtare për zhvillimin e bujqësisë dhe konferenca e sotme e konfirmon mbështetjen tonë të vazhdueshme për fermerët e Kosovës.
Përveç mbështetjes së krijimit të shërbimeve të qëndrueshme këshilluese dhe qasjes në financa për fermerët e Kosovës, Caritasi Zviceran do të sigurojë qasje në inpute me cilësi të lartë bujqësore, zgjerimin e bujqësisë dhe zhvillimin organizativ të organizatave të fermerëve. - theksoi Delegati Rajonal i Caritasit Zviceran, z. Daniel Bronkal
Projekti për Zhvillim Rural dhe Bujqësor (RINGS) është mbështetur nga Principata e Lihtenshtajnit, Qeveria e Zvicrës, Fondacioni Bachmann dhe Caritasi Zviceran.