Buxheti për bujqësinë mbi 60 milionë euro
Prishtinë, 29 dhjetor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Memli Krasniqi, ka bërë me dije se buxheti për bujqësinë për vitin 2015, do të jetë mbi 60 milionë euro.
Në Kuvendin e Kosovës u miratua Buxheti për vitin 2015. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të ketë një rritje të ndjeshme buxhetore për vitin që po vjen, duke e tejkaluar shifrën prej 60 milionë eurosh. Kjo nënkupton një rritje substanciale të subvencioneve dhe granteve në bujqësi dhe zhvillim rural e që do të kenë ndikim direkt në zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe në hapjen e vendeve të reja të punës, ka shkruar Krasniqi në rrjetin e tij social Facebook.
Sipas tij tani janë në fazën e finalizimit të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2015, i cili do të krijoj mundësi të reja për fermerët dhe afaristët tanë. Bujqësia mbetet një nga sektorët kryesorë të zhvillimit të vendit dhe unë i ftoj të gjithë, e në veçanti të rinjtë, që të rrisin interesimin për këtë sektor, të zhvillojnë ide afariste konkurruese për këtë fushë dhe përkrahja institucionale nuk do të mungojë, ka deklaruar Krasniqi.