23 Dhjetor 2024

Bujqit të pakënaqur me subvencionimet

Albulena S. Mavraj

Prishtinë, 17 shtator - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) edhe këtë vit do t’i përkrahë me subvencionime bujqit e Kosovës, mirëpo subvencionimet që i jep MBPZHR-ja për grurë nuk është duke i kënaqur ata.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Adil Behramaj, ka bërë me dije se kjo ministri për këtë vit ka ndarë rreth 5.8 milionë euro për 10 661 kultivues të grurit. Behramaj ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit është rritur përkrahja financiare për sektorin e grurit për rreth dy milionë euro.

Sipas tij, është rritur dhe numri i përfituesve të subvencioneve. “Nga sipërfaqja e përgjithshme e mbjellë me grurë prej 86 684 hektarësh, janë subvencionuar 46 492.97 hektarë. Në krahasim me vitin e kaluar, për dy milionë euro është rritur edhe përkrahja financiare për sektorin e grurit në vitin 2013. E përpos rritjes së subvencioneve, në këtë vit është rritur edhe numri i përfituesve, ku, sipas të dhënave, del se janë gjithsej 1 741 fermerë me 8 021 hektarë grurë, që janë subvencionuar më shumë se vitin e kaluar”, ka thënë Behramaj.

Mirëpo kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës (FSBK) ,Tahir Tahiri, është shprehur i pakënaqur për ngritjen e kësaj shume të subvencionit. Sipas tij, kjo shumë është e pamjaftueshme për zhvillimin e kultivimit të grurit, pasi kriteret e vendosura nga MBPZH-ja lënë pa subvencione rreth 60 për qind të kultivuesve të grurit. “Nuk jemi të kënaqur me këtë shumë subvencionimi. MBPZHR si kriter ka vendosur që subvencionimi të jetë për fermerët të cilët mbjellin mbi dy hektar.

Ndërsa shumica e fermerëve të cilët kultivojnë grurin i mbjellin nën dy hektarë, e kjo bën që 60 për qind e bujqve të mbesin pa subvencione”, ka theksuar Tahiri.

Ai e ka kritikuar edhe mënyrën e pagesës së subvencioneve nga ana e MBPZHR-së, prej 125 eurosh për hektar si dhe vonesat e mjeteve financiare për kultivuesit e grurit në disa komuna.

Sipas tij, në çdo shtet të rajonit shuma për hektar sillet nga 250 deri në 300 euro.

“Ne i kemi kërkuar 250 deri në 300 euro për hektar siç jepen në çdo shtet të rajonit. Por, edhe ato 125 euro të cilat i jep Ministria e Bujqësisë i vonon deri në 8 muaj, ndërsa Komuna e Prishtinës, Kamenicës, Novobërdës e Gjilanit ende nuk i kanë marrë të hollat e premtuara për vitin e kaluar, ndërsa tani edhe tri javë po vjen koha që të kultivohet gruri për vitin 2013 e ende nuk i kanë të hollat mbi 300 fermerë të grurit”, ka shtuar Tahiri, i cili shumën e ofruar nga MBPZHR-ja, prej 125 eurosh, e ka quajtur rast social, derisa Maqedonia, sipas tij, i jep 250 euro për hektar.

Po sipas Tahirit, shqetësuese për prodhuesit e grurit këtë vit është edhe rënia e çmimit të grurit për kg nga 26 centë në 18 centë.

“Me këtë çmim bujqit nuk mund ta mbulojnë koston e prodhimit, e cila te ne është shumë e lartë. Kostoja e prodhimit të grurit te ne është shumë e lartë. Plehu, fara dhe pesticidet janë të shtrenjta, kurse çmimi i shitjes së grurit është shumë i ulët. Me këtë çmim prej 18 centësh bujqit nuk mund t’i mbulojnë as gjysmën e humbjeve”, ka thënë ai.

Sipas tij, pengesë në zhvillimin e kultivimit të grurit paraqet edhe importi i lartë nga Serbia.

“Neve importi po na shkatërron, sepse po vijnë produkte bujqësore nga shtetet e tjera shumë të lira dhe të kualitetit të dobët, pasi ata prodhojnë dhe rezervat shtetërore, mbeturinat çfarë ju mbesin, i sjellin te ne, kurse konkurrenca nga Serbia po bën që çmimet tona të jenë të ulëta, përderisa 65 për qind e miellit vjen nga Serbia, e cila edhe i stimulon bujqit e vet, duke bërë që ata të kenë llogari të shesin tek ne me 14 apo 15 centë kilogramin, përderisa bujqit te ne nuk kanë llogari që kilogramin ta shesin as për 25 centë”, ka thënë Tahiri.

Të njëjtat shqetësime me kryetarin e Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës (FSBK), Tahir Tahiri, i ka shfaqur edhe fermeri Gani Dobratiqi nga Komuna e Prishtinës, i cili i ka në pronësi të vet 15.70 hektarë të mbjellë me grurë.

“Shuma prej 125 eurosh për hektar për ne nuk është e mjaftueshme. Ministria e Bujqësisë s’është treguar korrekte me ne. E kam vendimin që paratë është dashur t’i marr para katër muajve, kurse në xhirollogarinë time ato ende nuk janë”, ka deklaruar Dobratiqi.

Ky fermer po ashtu ka deklaruar se, krahas uljes së çmimeve të grurit, është dashur të ulet dhe çmimi i naftës dhe produkteve përcjellëse për kultivimin e grurit.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)