Bujqit të painformuar për prodhimet fitimprurëse
Prishtinë, 19 maj - Bujqve të Kosovës iu mungojnë idetë se çka duhet të prodhohet më shumë. Kështu thonë ekspert të politikave bujqësore, sipas të cilëve bujqit kanë mungesë informacioni që do t`i ndihmonte ata në orientimin drejtë prodhimeve fitimprurëse.
Duke u bazuar në resurset që ka bujqësia e Kosovës, fermerët mund të ofrojnë produkte, të cilat do të ishin fitimprurëse, por ata kanë mungesë informacioni për këtë.
Eksperti i politikave bujqësore, Halim Gjergjizi, thotë se ndër arsyet për këtë është edhe mungesa e zhvillimit të politikave që do t`i orientonin bujqit drejtë një tregu më të mirë.
Mungesa e këtyre politikave, sipas Gjergjizit, bënë që prodhuesi vendor të mos dijë se çka paraqet prioritet për tregjet si në Kosovë ashtu edhe në ata rajonal dhe global.
Së pari duhet të përcaktohen prioritetet se cilat do të ishin ato prioritete apo produkte konkurruese ku fermerët tanë do të prodhonin për treg dhe njëkohësisht do të realizonte të hyra, thotë Gjergjizi.
Eksperti i bujqësisë, Halim Gjergjizi, ndër të tjera, thotë se deri më tash bujqësia, por edhe ekonomia në përgjithësi, është zhvilluar pa ndonjë vizion të qartë. Kjo ka bërë që edhe politikat të mos jenë efektive:
Pse s`kemi produkte për treg, natyrisht mungojnë vizionet, mungojnë politikat shtetërore për t`i nxitë fermerët. Fermeri në bujqësinë e Kosovës nuk realizon të hyra për të siguruar një minimum të jetesës.
Ndërkaq, idetë se cilat produkte do të mund t`i pranonin më lehtë tregjet vendore por edhe ato ndërkombëtare, ka bërë që Fatmir Krasniqi nga Kamenica të orientohet në prodhimin e kërpudhave. Ai tha për Radio Kosovën se kjo veprimtari, sado pak sjell përfitime edhe për të.
Kisha thënë se është profit i mirë duke pasur parasysh se të gjitha parametrat flasin që jemi në një krizë. Ne i furnizojmë edhe tregjet rajonale por edhe më gjerë. Para tri ditëve ne kemi eksportuar produkte për tregun e Bashkësisë Evropiane, kryesisht për Itali.
Megjithatë, Fatmir Krasniqi, thotë se vitin e kaluar janë përballur me çmimin e lartë të referencës duke shkaktuar probleme në eksport. Por ai shton se këtë vit çmimet referente janë hequr nga ana e Bashkimit Evropian dhe veprimtaria mund të marrë të mbarën e saj.(rtk)