Bujqit nesër në protesta
Prishtinë, 9 prill - Bujqit kosovar paralajmërojnë protestë për nesër, në shenjë pakënaqësie me politikat agrare qeveritare. Me këtë rast Federata e Sindikatës së Bujqve të Kosovës nesër duke filluar nga ora 12:00, do të mbajë protestë para Ministrisë së Bujqësisë, për të vazhduar marshin drejt ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit, ku do të paraqiten 16 kërkesat e tyre. Në këtë protestë do të marrin pjesë bujq nga gjithë Kosova në mënyrë të organizuar me traktorë.
Tahir Tahiri, kryetar i Federatës së Sindikatës së Bujqve të Kosovës, ka thënë se protesta e nesërme mbahet me qëllim të pakënaqësive që kanë bujqit për gjendjen shumë të vështirë dhe se protesta nuk do të ndërpritet nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga Qeveria e Kosovës. Tahiri, duke shpjeguar kërkesat e bujqve, të cilat do tia drejtojnë Qeverisë së Kosovës, vuri theksin në subvencionet e ulta.
Të subvencionohen bujqit nga 200 euro për hektar, kreditim për bujqësinë kosovare me kamata të ulëta . Kemi kërkuar edhe politika operacionale të privatizimit si edhe aty po bëhen shkelje drastike, miratimi i Ligjit të Punës dhe organizimit sindikal, sigurimi shëndetësor dhe pensional për bujqit, ka shpjeguar kërkesat e sindikalistëve, Tahiri.