22 Dhjetor 2024

Bujqit e Vushtrrisë duan gjysmë milioni euro nga Ministria e Bujqësisë

Vushtrri, 16 prill - Bujqit e Vushtrrisë kanë kërkuar afro gjysmë milioni euro grante nga Ministria e Bujqësisë. Këto janë të dhënat zyrtare nga Drejtoria Komunale për Bujqësi në Komunën e Vushtrrisë, ku deri të shtunën kanë aplikuar 43 persona.

“Para pak kohe ka përfunduar faza e aplikimit për grante që shpërndan Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Bujqësisë, me ç’rast banorët e Vushtrrisë kanë pasur mundësinë të aplikojnë për grante në tre sektorë, atë të pemëtarisë, në kultivimin e dredhëzave dhe në kultivimin e serrave”, ka thënë drejtori i Bujqësisë në Komunën e Vushtrrisë, Nasuf Aliu.

Sipas tij, janë gjithsej 24 aplikues që kanë kërkuar për grante në sektorin e pemëtarisë, ku secili ka paraqitur sipërfaqen e tokës, si dhe çmimin se sa i duhet për realizimin e qëllimeve, ku për pemëtari çmimi sillet nga 1.800 euro më i vogli me 0.5 hektarë, deri tek ai më i madhi, ku për 3 hektarë për mbjellje të mollës me infrastrukturë përcjellëse ka kërkuar grante mbi 40 mijë euro, ku vlera e përgjithshme e aplikuesve për këtë qëllim është 328 mijë e 61 euro.

Aliu ka shtuar se numri i aplikuesve për përfitime të granteve në kultivimin e dredhëzave është 12, ndërsa në kultivimin e serrave është 7 aplikues, ku për të parën dhe të dytën vlera e përgjithshme e aplikuesve që kërkojnë grante arrin shumën e mbi 114 mijë eurove.

“Janë gjithsej 12 aplikues për përfitime të granteve për kultivimin e dredhëzave me një sipërfaqe prej 0.10 hektarë deri në 0.20 hektarë, ku secili prej tyre ka kërkuar nga 2000 mijë përkatësisht 4 mijë euro grande nga ministria. Ndërsa për ndërtimin e serrave kanë aplikuar 7 persona, ku kanë kërkuar grante prej 10 mijë deri në 20 mijë euro, për ndërtimin e një serre prej 500 metrash katrorë me gjithë infrastrukturën përcjellëse”, thekson Aliu.

Ai ka thënë se në vitin e kaluar Ministria e Bujqësisë ka dhënë grante apo subvencione mbi 300 mijë euro personave të ndryshëm në Komunën e Vushtrrisë, ku ai beson se kjo përkrahje nuk do të mungojë edhe sivjet. Aplikuesit shprehen optimistë se do të realizohen kërkesat e tyre për grante nga Ministria e Bujqësisë.

“Natyrisht, pres që të ftoj prej grantit qeveritar apo të ministrisë, për këtë edhe kemi aplikuar”, ka deklaruar Shaban Kosumi, njëri nga 43 aplikuesit që po kërkojnë grante qeveritare, për ngritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)