25 Dhjetor 2024

Bujqësia, sektori më me potencial për investime të huaja

Prishtinë, 18 nëntor - Bujqësia është pa dyshim ndër fushat më të rëndësishme për ekonominë e Kosovës, me potencial të madh, që mund të tërheq edhe investime nga jashtë.

Duke pasur parasysh rëndësinë e bujqësisë, Qeveria e ka vendosur atë ndër prioritetet kryesore, duke e rritur në vazhdimësi buxhetin për bujqësinë.

Kështu është shprehur ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi në konferencën dyditore të USAID-it me temën “Mundësitë e investimit në agrobiznesin kosovar”, që është duke u mbajtur në hotelin “Emerald”, në Prishtinë, ku po marrin pjesë investitorë vendas dhe të huaj, të cilët në vazhdimësi e kanë përkrahur sektorin e bujqësisë në Kosovë, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore e agrobizneseve vendore.

Gjatë kësaj konference, ministri Krasniqi, ka prezantuar të arriturat në bujqësi, si dhe për programin mbështetës të ministrisë për vitin e ardhshëm, si dhe mundësitë për investime në sektorin e bujqësisë.

“Me mbështetjen e Qeverisë për sektorin e bujqësisë  është rritur prodhimi vendor për  26% në dy vitet e fundit, ku me këtë kemi dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në zëvendësimin e importit dhe përmirësimin e bilancit tregtar.\"

\"Po ashtu me mbështetjen tonë kemi shtuar vazhdimisht sipërfaqes e tokës bujqësore të kultivuara me kultura të ndryshme, e bashkë me këtë janë shtuar edhe rendimentet e këtyre kulturave.\"

\"Ndërkaq, përmes granteve investive janë krijuar rreth 15000 vende të reja pune gjatë periudhës 2009-2013 dhe janë mbështetur rreth 10000 vende ekzistuese të punës gjatë kësaj periudhe”, tha ministri Krasniqi, duke treguar se buxheti mbështetës për fermerët për këtë vit ishte 43 milionë euro, ku 20 milionë ishin të planifikuara në grante dhe 23 milionë në subvencione.

Ministri Krasniqi, ka treguar po ashtu se viti 2016 shënon një etapë të re sepse tashmë do të ketë qasje në një treg prej 500 milionë konsumatorëve, pas nënshkrimit të MSA-së.

“Bujqësia fiton gati më se shumti në këtë pikë, pasi rreth 2500 produkte do të kenë të hequra tarifat doganore me BE-në.  E di që ne ende s’kemi aq sa duhet prodhim por kjo hapje e dyerve na shton motivin që të rrisim kapacitetet. Po ashtu do të kemi një buxhet së paku të njëjtë sa këtë vit, por me rëndësi nuk kemi rënie, gjë që do të na mundësojë të fokusohemi në sektorë dhe nënsektorë strategjik, si pemët dhe perimet si dhe mishi dhe qumështi. Këtu kemi treguar potencial dhe mundësi dhe është më e leverdishme edhe për fermerët si çmim dhe si biznes”, tha Krasniqi.

Gjithsesi, ai tha se angazhim kryesor i tyre mbetet bashkëveprimi me secilën palë pasi vetëm në këtë mënyrë adresojnë qartë nevojat dhe problemet në sektorin e bujqësisë.

Në anën tjetër, drejtor i USAID-it në Kosovë, James Hope, tha se Kosova është një vend me potencial të madh bujqësor dhe kjo sipas tij e bën si një vend më të përshtatshëm për t’u investuar, pasi që edhe fuqia punëtore nuk mungon.

“Gjatë dy ditëve sa do të zgjasë konferenca do të ketë prezantime shumë të mira, ku secili pjesëmarrës do të mësojë për kushtet bujqësore dhe klimatike të Kosovës të cilat janë mjaft ideale. Krahas kësaj fermerët në Kosovë janë duke adoptuar standardet e sigurisë ushqimore dhe në mënyrë proaktive po i aplikojnë këto standarde në mënyrë që t’i përmbushin nevojat e tregut”, tha drejtori Hope.

USAID-i, sipas tij është i përkushtuar që ta nxisë edhe më tej zhvillimin e ndërmarrësisë dhe do të vazhdojë edhe më tej mbështetjen për sektorin e bujqësisë përmes partneritetit me Qeverinë e Kosovës.

Ndryshe, në konferencën dy ditore po marrin pjesë më shumë se 200 pjesëmarrës vendor dhe ndërkombëtar ka për qëllim t’i bëjë bashkë agrobizneset dhe investitorët ndërkombëtar dhe kosovarë .
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)