26 Dhjetor 2024

Bujqësia prioritet i Qeverisë për zhvillim ekonomik

Prishtinë, 24 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi sot Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ku u njoftua nga ministri Memli Krasniqi për punën dhe rezultatet e mëdha që po arrihen në fushën e bujqësisë në Kosovë.

 Gjatë takimit, u bisedua edhe për projektet e ardhshme të Ministrisë së Bujqësisë, sidomos në rritjen e mëtejme të numrit të punësuarve përmes granteve, si dhe për përgatitjet për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si një kapitull tepër i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës dhe bujqësisë.

Gjatë vizitës, kryeministri Mustafa u shoqërua nga ministri i Financave Avdullah Hoti dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Kryeministri Mustafa vlerësoi punën që ka bërë Ministria e Bujqësisë duke ofruar mbështetjen e Qeverisë në realizimin e objektivave themelore, në kuadër të realizimit të agjendës dhe programit qeverisës.

Në një prononcim për gazetarët e pranishëm, kryeministri Mustafa theksoi se ka të arritura shumë të mëdha në fushën e bujqësisë dhe në fushën e bashkëpunimit me fermerët.

“Rezultatet shihen sidomos tek punimi i tokës bujqësore, sepse gati e tërë toka po punohet në Kosovë. Shihet tek rritja e prodhimtarisë bujqësore, tek rritja e eksportit për të cilin foli ministri dhe rritja e të punësuarve në sektorin e bujqësisë. Jemi të interesuar tani që përpos aktiviteteve në sektorin primar, të punojmë edhe në sektorin e përpunimit të produkteve bujqësore në mënyrë që ta rrisim prodhimtarinë e brendshme të produkteve që finalizohen këtu, një pjesë të të cilave do t’i konsumojmë në Kosovë, dhe pjesën tjetër pastaj do ta eksportonim, sepse është fjala për një vend që ka natyrë të shkëlqyer, që ka klimë të mirë dhe mund të nxjerrë produkte shumë të mira”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa po ashtu bëri të ditur se është biseduar edhe për përgatitjet për Marrëveshjen për Stabilizim Asociim si një marrëveshje shumë e rëndësishme për Kosovën.

“Kjo marrëveshje na ofron hapësirën të cilën ne duhet ta shfrytëzojmë për ta rritur konkurrencën e firmave tona, aftësinë e tyre konkurruese duke bashkëpunuar me të gjitha subjektet. Do të mundohemi që përpos bashkërenditjes në nivel horizontal qeveritar, të rrisim bashkëpunimin edhe me komunat, sepse atje zhvillohet jeta, t’i përkrahim komunat në fusha të ndryshme në mënyrë që tani zhvillimi ekonomik të jetë prioritet i plotë i kësaj Qeverie. Unë mendoj se ne do t’i realizojmë objektivat tona, do të arrijmë që të përmirësojmë zhvillimin ekonomik, të përmirësojmë trendet në punësim dhe të bëhemi një partner shumë i rëndësishme për investitorët e jashtëm dhe për investitorët e brendshëm”, deklaroi kryeministri Isa Mustafa.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ka njoftuar kryeministrin me të arriturat e këtij sektori gjatë vitit të kaluar dhe po ashtu me planifikimet për vitin 2016, por edhe për periudhën tjetër afatmesme.

“Me kënaqësi njoftova në detaje për të arriturat e vitit të kaluar përmes zbatimeve  të programit të zhvillimit rural dhe të programit për pagesa direkte, me ç’rast kemi arritur që të rrisim në masë të dukshme edhe sipërfaqet e punuara në Kosovë, edhe numrin e krerëve të bagëtive, por edhe punësimin ku vetëm përmes programit për zhvillim rural kemi punësuar mbi 2500 punëtorë në sektorin e bujqësisë dhe kemi ndihmuar përmes programit të pagesave direkte të mirëmbajmë me mijëra vende të tjera të punës në këtë sektor. Planifikojmë që gjatë këtij viti, meqenëse kemi edhe fonde më të mëdha se vitin e kaluar, numri i të punësuarve nga grantet e Ministrisë në sektorin e bujqësisë të jetë diku rreth 3 mijë”, tha ministri.

Ministri Krasniqi foli edhe për të dhënat që ndërlidhen me zvogëlimin e rëndësishëm të importit të produkteve bujqësore dhe atyre ushqimore si dhe me rritjen prej 6 për qind të eksporteve bujqësore në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014.

“Jemi një javë para fillimit të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit e cila do të shënoj një kapitull tepër të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës, por para së gjithash për bujqësinë, meqenëse për herë të parë mbi 2500 produkte bujqësore nga Kosova nuk do të kenë barriera tarifore në tregun e BE-së dhe në këtë drejtim ne po bashkëpunojmë me agrobizneset me përpunuesit tanë, në mënyrë që t’i njoftojmë që të arrijmë edhe më tej standardet e kërkuara evropiane në mënyrë që ata të jenë konkurrentë në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, me kryeministrin dhe kolegët tjerë Ministra gjatë ditëve të ardhshme do të jemi në terren edhe për të vizituar komuna të ndryshme, por edhe agrobizneset e suksesshme të Kosovës për t’iu ofruar sikur deri më tash mbështetjen tonë dhe për t’i ndihmuar ata në zhvillimet e mëtejme që ndërlidhen me hyrjen në fuqi të MSA-së, por edhe me zhvillimet e përgjithshme në sektorin bujqësor”, tha Krasniqi.

Ministri Memli Krasniqi, po ashtu, theksoi se po punohet fuqishëm edhe në legjislacion, në adaptimin e legjislacionit me standardet e BE-së dhe se në pjesën e parë të vitit, disa ligje tepër të rëndësishme, siç është Ligji për Pyjet, Ligji për Ushqimin, disa strategji sektoriale do të miratohen, në mënyrë që edhe në aspektin legjislativ Kosova të jetë në trend me Bashkimin Evropian.

“Mua më mbetet të them që ndjehem mirë që bujqësia ka qenë dhe mbetet një ndër prioritetet kryesore dhe fokusi kryesor i Qeverisë dhe kryeministrit që nga fillimi i mandatit tonë qeverisës dhe besojmë se me këtë mbështetje që po rritet nga viti në vit dhe me këtë partneritet tashmë të thelluar me fermerët, me përfaqësuesit e tyre, ne do të arrijmë që me të vërtetë ta shfrytëzojmë maksimalisht potencialin e jashtëzakonshëm që ka bujqësia për zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe për krijimin e vendeve të reja të punës”, deklaroi ministri Memli Krasniqi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)