Bujqësia një sektor që krijon më shumë zhvillim dhe punësim
Prishtinë, 29 mars - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi priti sot në një takim kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, të cilën e ka njoftuar më gjerësisht me programet mbështetëse të ministrisë për vitin 2016, si dhe me mundësitë që ofrojnë këto programe për sektorët potencial të kësaj komune.
Gjatë takimit, ministri Krasniqi e njoftoi kryetarin edhe për lehtësirat që janë bërë në kriteret për të përfituar nga masat mbështetëse të programeve të MBPZHR-së e bashkë me këtë ai tha se kanë zgjeruar edhe përkrahjen përmes granteve dhe subvencioneve për shumë sektor, ku në kuadër të këtyre programeve, përkrahje do të mund të gjejnë edhe fermerët e Mitrovicës.
Ministri Krasniqi, theksoi se bujqësia është një sektor që mund të jetë mjaft fitimprurës për mitrovicasit dhe për zhvillimin e mëtejmë të këtij sektori ai rikonfirmoi gatishmërinë e tij për të thelluar bashkëpunimin me këtë komunë, duke ftuar në të njëjtën kohë që edhe kjo komunë të shtojë investimet në këtë sektor.
Nga ana e tij, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, e falënderoi ministrin për gatishmërinë për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të këtij sektori në këtë komunë dhe shprehi përkushtimin për të bashkëpunuar edhe më tej me këtë ministri, me qëllim të fuqizimit të mëtejmë të sektorit në këtë anë.