Bujqësia në vitin 2012 do të jet prioritet i qeverisë
Prishtinë, 4 janar- Ministrisë së Bujqësisë Pylltaris dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), në vitin 2011 ka bërë shumë punë që bujqësia kosovare të ec drejt zhvillimit dhe ecjes përpara sipas standardeve.
Këshilltari i MBPZHR, Adil Behramaj, ka deklaruar se në vitin 2011 është arritur që sadopak tua lehtësojnë punën fermerëve kosovar që merren me bujqësi.
``Nga përkrahja e Ministrisë së Bujqësisë, gjatë kësaj periudhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë përfituar rreth 29500 fermerë dhe me projektet që i kemi implementuar janë ngritur 312 hektarë sipërfaqe me pemishte të reja, me vreshta të reja, kryesisht varietete që kërkohen në treg dhe me perimekulturë të mbjellë nëpër serra, si dhe përveç kësaj kemi investuar edhe në 216 hektarë me pemishte dhe vreshta ekzistuese, të cilave ua kemi rregulluar infrastrukturën dhe ua kemi siguruar mekanizimin përcjellës bujqësor``, ka deklaruar ai.
Sipas tij po ashtu, gjatë kësaj periudhe nëpërmjet granteve investive kemi përkrahur edhe ngritjen e standardeve në sektorin e qumështit, përkatësisht kemi investuar në ndërtimin e fermave të reja, në sisteme të mbyllura të mjeljes dhe në infrastrukturë e mekanizëm bujqësor.
´``Për herë të parë kemi investuar edhe në sektorin e shpendarisë, ku kemi përkrahur ndërtimin e 18 fermave të reja. Vlera e përgjithshme e përkrahjes së projekteve të zhvillimit rural nëpërmjet granteve investive arrinë në rreth 2 milionë euro, ndërsa vlera e përgjithshme e subvencioneve që kemi ndarë për prodhuesit e grurit, për mbarështuesit e kafshëve të imëta dhe lopëve qumështore në këtë vit arrinë në rreth 5.8 milionë euro``, ka pohuar ai.
Po ashtu sipas tij ka edhe projektet e ndryshme për rehabilitimin dhe zgjerimin e sipërfaqeve të ujitjes, të cilat i kemi financuar nëpërmjet investimeve kapitale, sepse nëse i referohemi këtyre, në këtë vit nën ujitje janë përfshirë gjithsej 9803 hektarë tokë bujqësore. Këto janë vetëm disa prej treguesve konkret të të arriturave, por ka edhe shumë tjetër se çfarë të prezantohet.
Behramaj, ka pohuar se sfidat janë të shumta dhe fatkeqësisht janë edhe shumë të shpërndara dhe kjo është edhe njëra prej arsyeve që në disa procese shpeshherë ka edhe ngecje, sepse qëndron në varshmëri të madhe edhe me të tjerë.
``Problematikë e cila po rëndon në masë të madhe mbi ne është ndërrimi i destinimit të tokës bujqësore, prerjet ilegale të pyjeve dhe mungesa e të dhënave të sakta për sektorin e bujqësisë, e cila po rrit pastaj edhe informalitetin në këtë sektor.\"
\"Në fakt këto dy të parat peshojnë shumë më shumë mbi komunat, sepse për ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore, pëlqimi i Ministrisë së Bujqësisë kërkohet vetëm për klasat e tokës 1-4 të cilat kanë bonitet më të lartë dhe ky nuk është vendim, por vetëm pëlqim, të cilin pastaj komunat mund edhe të mos e përfillin, por kjo çështje gjithsesi që mbetet sfidë e madhe edhe për ne``, ka theksuar ai.
Ndërsa, tek prerjet ilegale të pyjeve, sipas Behramajt me decentralizim pyjet që ndodhen në territorin e komunave, tashmë janë duke u ruajtur nga autoritetet komunale, të cilat poashtu i lëshojnë edhe licencat për prerjen e drunjve në bazë të rregullativave në fuqi, por edhe pse kjo ka treguar rezultate mjaft pozitive, ku në këtë rast si tregues pozitiv mund ta marrim edhe trefishimin e të hyrave nga shitja e masës drusore në këtë vit, përsëri prerja ilegale e pyjeve është në përmasa shumë shqetësuese për ne.
``Ndërkaq, sa i përket mungesës së të dhënave të sakta për sektorin e bujqësisë, ne tashmë siç e dini këtë çështje e kemi ngritur edhe tek donatorët tanë dhe duke filluar nga viti 2012 do të nis edhe faza përgatitore për regjistrimin e përgjithshëm bujqësor, i cili ka gjithsej 52 vite që nuk është bërë. Ky regjistrim pritet të përfundoj në vitin 2014 dhe për implementimin e këtij projekti përkrahje të fuqishme janë duke na dhënë edhe donatorët e sektorit``, ka potencuar ai.
Behramaj, ka theksaur se vlugu i punëve në këtë sektor është mjaft pompoz dhe i dukshëm për shumicën, por përveç punëve të përditshme për implementimin e programit tonë vjetor, i cili krahasuar me vitin paraprak ka përfshirë një gamë shumë më të madhe të përkrahjes në këtë vit, si dhe përveç rezultateve të kësaj pune të cilat veç ua tregova më herët, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i punëve me donatorët e sektorit, i cili është intensifikuar jashtëzakonisht shumë është një prej punëve më të rëndësishme në këtë fazë zhvillimore.
``Rezultatet e kësaj pune do të jenë mjaft të prekshme edhe për fermerët në vitin 2012, sepse që nga fillimviti do të fillojnë të implementohen projekte të reja të donatorëve në vlerë prej mbi 20 milionë euro, të cilat në mbi 80% do të jenë grante investive. E në këtë kontekst, nëse i referohemi tani edhe projekteve në periudha afatmesme që janë duke u implementuar, vlerë e projekteve të përgjithshme të donatorëve sillet në rreth 50 milionë euro``, ka theksuar ai.
Sipas tij ky koordinim ka shumë rëndësi për ne, sepse duke marrë për bazë shpërputhjen ndërmjet nevojave dhe kërkesave të fermerëve me mundësitë që derivojnë nga buxheti ynë, atëherë edhe nëpërmjet kësaj mënyre është e mundëshme që ti harmonizojmë këto dhe të rrisim vëllimin e investimeve, por normalisht që kjo mbi të gjitha kërkon përkushtim dhe seriozitet në punë, i cili konsiderojmë që nuk na ka munguar përderisa janë trefishuar investimet, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të fitohet besimi i donatorëve dhe të binden ata për të investuar.
Prioritetet në numër janë të mëdha, sepse shumë punëve është dashur tja nisim prej fillimi për tja trasuar rrugën zhvillimit të këtij sektori.
``Tre prioritetet kryesore të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2012 janë krijimi i programit dhe fondit garantues për kredi bujqësore, për të cilin ne tashmë veç i kemi filluar negociatat me institucionet bankare, pastaj është ndërtimi i qendrave për grumbullim, ruajtje dhe klasifikim të produkteve bujqësore, projektet e të cilave ne tashmë veç i kemi përgatitur, si dhe krijimi i një sistemi të qëndrueshëm për ti avancuar shërbimet këshillimore dhe për ti përafruar këto me vendet e rajonit``, ka theksuar ai.
Ka edhe shumë të tjera, ku disa prej tyre marrin më shumë kohë, por sipasBehramajt, deri nga mesi i vitit 2012 planifikojmë, përpos tjerash, ti realizojmë edhe këto tre prioritete.
``Vlen të përmendet që prioritet për ne është edhe riorganizimi i strukturave organzative të ministrisë, ku do ta themelojmë edhe Agjencinë e Zhvillimit dhe Njësinë për Analiza Ekonomike, si dhe do ti ndërmarrim edhe shumë veprime të tjera për ta rritur efikasitetin në punë dhe shërbime, e rëndësishme është që do të ketë rritje të përkrahjes edhe më shumë sesa që kishte këtë vit, si dhe do të lëvizje pozitive të cilat do të jenë bazë e fortë për rritjen e komercializimit në sektorin e bujqësisë``, ka thënë ai. (Epoka e Re)