Bujqësia, në mes të punës dhe premtimeve
Prishtinë, 27 mars - Ka shumë probleme, por edhe të arriturat janë të matshme. Sektori i bujqësisë, i cili në të kaluarën ka qenë njëri prej sektorëve më të nënvlerësuar nga shoqëria dhe më i injoruari nga të gjitha qeverisjet, tashmë është shndërruar në prioritet kryesor.
Trumbetohet nga të gjitha partitë politike. Por, ata që qeverisin tash me këtë sektor, tregojnë se përkrahja e tij ka filluar në qeverisjen e tyre. Vetëm rreth 300 mijë euro ishin investuar në një projekt kapital për herë të parë në bujqësi në vitin 2007. Por, prej vitit pasues, kur edhe ka filluar përkrahja për fermerë dhe deri në vitin 2013, janë investuar edhe 78 milionë euro të tjera grante, subvencione dhe investime kapitale, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë përfituar gjithsej 79,019 fermerë.
Drejtori i Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë, Zenel Bunjaku, thotë se investimet e bëra gjatë viteve të fundit në sektorin e bujqësisë, kanë ndikuar që një numër i madh i banorëve të zonave rurale tiu rikthehen veprimtarive bujqësore, të cilat tash ata po i konsiderojnë si më të leverdishmet në vend.
Këtë ai e thotë, duke u bazuar në atë që kjo iniciativë ka parë në terren, ku sipas tij këto investime kanë arritur që ta ndryshojnë edhe qasjen ndaj këtij sektori.
Investimet e deritanishme nga Ministria e Bujqësisë dhe donatorët e këtij sektori, kanë ndikuar edhe në shtimin e interesimit për tu marrë me bujqësi. Këto investime kanë bërë që fermerët të rrisin prodhimtarinë bujqësore, por pavarësisht punës që është bërë gjatë këtyre viteve të fundit, investimet në zhvillimin e sektorit të bujqësisë nuk janë të mjaftueshme, thotë Bunjaku.
Se investimet nuk janë ende të mjaftueshme pajtohen edhe zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, por sipas tyre, puna e drejtpërdrejtë me të gjitha palët e interesit, ka bërë që sektori të fitojë trajtimin dhe rolin e duhur për të arritur deri tek një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik.
Ata thonë se sektori i bujqësisë dhe fermerët tash janë më të përgatitur për të absorbuar fonde më të mëdha investive. Bilanci i të arriturave në bujqësi gjatë viteve 2008-2013 është i matshëm dhe i dukshëm për të gjithë, sepse rreth 78 milionë euro janë investuar. Ne kemi subvencionuar gjithsej 188,524 hektarë tokë bujqësore.
Sipërfaqet e mbjella me drithëra janë shtuar për 60,079 hektarë krahasuar me 2007en. Kemi subvencionuar gjithsej 1,385,344 krerë të bagëtisë. Gjithashtu, përmes investimeve në hortikulturë, kemi ngritur edhe 1,291 sipërfaqe të reja me pemë, perime në serra dhe vreshta dhe 19,973 hektarë tokë të re bujqësore e kemi përfshirë në sisteme të ujitjes.
Ndërsa, tek sektori i blegtorisë, me investimet tona janë ndërtuar dhe kompletuar me infrastrukturë edhe 214 ferma blegtorale dhe kemi bashkëfinancuar 2514 projekte për zhvillimin rural, si dhe 29 agrobiznese të tjera i kemi mbështetur në modernizimin e teknologjisë për procesim dhe përpunim, thotë zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj.
Ai tregon se kanë gjeneruar edhe 7072 vende të reja të punës përmes granteve investive, në bashkëfinancim me fermerë, gjatë periudhës 2008-2013, ku një vend i ri i punës në bujqësi vlerësohet se mund të krijohet mesatarisht me rreth 10 mijë euro investime. Ndërsa, përmes subvencioneve, Behramaj thotë se kanë mbështetur edhe rreth 70 mijë vende ekzistuese të punës gjatë kësaj periudhe, sepse sipas tij, mbi 10 mijë vende ekzistuese të punës në bujqësi mbështesin për çdo vit përmes subvencioneve.
Ndryshe, ditë më parë, kryeministri Thaçi ka premtuar 500 milionë euro investime në bujqësi gjatë periudhës së ardhshme katërvjeçare, por derisa këto premtime janë cilësuar si elektorale nga opozita, zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë bëjnë të ditur se tani janë duke i përgatitur kërkesat e reja për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, të cilat do ti dorëzojnë nesër dhe buxheti për bujqësi në vitin e ardhshëm do të jetë mbi 100 milionë euro.