Bujqësia kosovare nën llupën e Komisionit Evropian
Prishtinë, 16 mars - Sot në Prishtinë filloi një rund i ri i Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit (DPSA) midis autoriteteve kosovare dhe Komisionit Evropian. Gjatë mbledhjes sektoriale dyditore pjesëmarrësit do të shqyrtojnë progresin në fushën e bujqësisë, peshkatarisë, pylltarisë dhe sigurisë së ushqimit.
Pjesa më e madhe e agjendës është e përqendruar në çështje bujqësore, në veçanti në jetësimin e strategjisë së Kosovës për Zhvillim të Bujqësisë dhe Rural, si të zhvillohet ekonomia rurale e Kosovës duke ngritur cilësinë e prodhimtarisë së saj (në bazë të normave të BE-së), por edhe se si të tejkalohen pengesat me të cilat po ballafaqohet ekonomia rurale e Kosovës, sikurse që janë qasja në kredi, financim apo nevoja për të konsoliduar tokën. Kjo nxit diskutimin për shembull, në zhvillimin e bujqësisë organike të sektorëve të verës në Kosovë.
Disa prej pikave të diskutimit (sikurse që janë kontrolli fitosanitar në kufij apo statistikat bujqësore) do të ndikojnë në kapacitetin e Kosovës për të hyrë në marrëveshje tregtare me BE-në, të cilat BE-ja si e tërë i ka rekomanduar.
Komisioni Evropian theksoi progresin e arritur, dhe mirëpriti një numër të ligjeve që janë duke u përgatitur (për konsolidimin e tokës, shërbime këshillimi, verë, bujqësi organike) dhe të parapara që të miratohen këtë vit, por theksoi se Kosova duhet të punojë jo vetëm në zbatimin e ligjeve të ardhshme por edhe zbatimin e legjislacionit ekzistues.
Pritet që Komisioni Evropian gjatë mbledhjes do tiu bëjë thirrje autoriteteve që të sigurojnë ruajtjen e pyjeve nga mbishfrytëzimi dhe prerja jolegale, që të përmirësojnë stabilimentet e agroushqimit dhe të përmirësojnë kontrollin fitosanitar.
Përmirësimi i sigurisë dhe i cilësisë së ushqimit do të jetë në dobi të qytetarëve të Kosovës por po ashtu do të krijojë potencial eksportues apo do ti ndihmonte Kosovës që të mos varej nga importet e shtrenjta. Janë disa fusha (sikurse ajo e verës apo drurit) ku eksportet bujqësore të Kosovës kanë potencial të konsiderueshëm.
Megjithatë, për të zhvilluar këtë potencial, Kosova duhet ti plotësojë standardet e BE-së. Agjencia Kosovare e Veterinarisë dhe Ushqimit u inkurajua që të vazhdojë punën e saj të mirë në këtë drejtim.
Mbledhja bashkëkryesohet nga Agjencia Kosovare për Koordinim të Zhvillimit dhe Integrimit Evropian dhe Drejtorati i Përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian.
Dialogu i PSA-së u fut në përdorim nga Komisioni Evropian në vjeshtë 2009 si një avancim i Mekanizmit Përcjellës të Procesit të Stabilizim-Asociimit më herët.