Bujqësia e Shqipërisë u rrit me 2,1 për qind
Tiranë, 9 korrik - Gjatë 3 muajve të parë të këtij viti, dega e bujqësisë u rrit me 2,1% ndaj 3-mujorit të parë 2012, duke konfirmuar se është një sektor dinamik me një kontribut të lartë në rritjen e ekonomisë së Shqipërisë.
Sipas burimeve zyrtare statistikore, zhvillimi i bujqësisë dhe zonave rurale në Shqipëri, ka shënuar një progres të dukshëm, me tregues të matshëm sasiorë dhe cilësorë, të cilët kanë sjellë një rritje të ndjeshme të kapaciteteve prodhues, të produktivitetit, të standardeve të prodhimit, si dhe të ardhurave për familjet fermere që jetojnë në zonat rurale të vendit.
Ardian Civici, një nga zërat analitik të këtij sektori, shpjegon se, ecuria pozitive e bujqësisë është mbështetur nga politikat nxitëse dhe lehtësitë fiskale të ndërmarra nga qeveria për zhvillimin e sektorit bujqësor në vend, megjithëse në kushtet e një dimri dhe thatësire të zgjatur.
Sipas tij, treguesit e prodhimit në produktet bujqësore bazë shënuan rritje të ndjeshme edhe gjatë vitit 2012 duke e bërë bujqësinë sektorin më dinamik, me një rritje prej 4-5 % ndonëse në kushtet e krizës.
Ritmet e rritjes së bujqësisë janë në koherencë dhe me Bankën Botërore, e cila parashikon një kontribut të lartë të këtij sektori në rritjen e ekonomive të Rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë.