Bujqësia e Iowa-s, model për Kosovën
Prishtinë, 6 korrik - Kosova, duke zhvilluar bujqësinë, mund të bëhet një IOWA e vogël në të ardhmen. Kjo mund të arrihet falë bashkëpunimit që tashmë ka filluar ndërmjet Kosovës, e cila vlerësohet si shtet me perspektivë bujqësore dhe IOWA-s, e cila njihet si shteti me bujqësinë më të zhvilluar në SHBA.
Kështu është vlerësuar sot gjatë vizitave që përfaqësuesit e shtetit të IOWA-s, bashkë me ministrin e Bujqësisë, Blerand Stavileci, ua bën disa agrobizneseve në Kosovë.
Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, ka deklaruar se bujqësia në Kosovë ka filluar të zhvillohet me hapa të shpejt dhe me investimet që po i bëjnë në zhvillimin e saj, shpejt do ta marrë primatin kryesor edhe në zhvillimin ekonomik.
Duke e parë si sektor me perspektivë, Stavileci ka deklaruar se edhe shtetet mike janë duke e përkrahur zhvillimin e bujqësisë në masë të madhe.
Gjatë këtyre takimeve me përfaqësuesit e IOWA-s, ne do ti shohim të gjitha mundësitë për bashkëpunim, por aty ku do të përqendrohemi më së shumti, do të jetë segmenti që lidhet me edukimin dhe shërbimet këshillimore, në mënyrë që të përfitojmë nga ekspertizat bujqësore të IOWA-s dhe të agrobizneseve të këtij vendi, ka deklaruar ministri Stavileci.
Gjatë vizitave në kompaninë Agrovizioni në Lipjan dhe në ASK Food e Moea në Gjilan, përfaqësueset e shtetit të IOWA-s, shikuan nga afër zhvillimet e fundit në sektorin e bujqësisë dhe vlerësuan potencialet zhvillimore të këtij sektori.
Përfaqësuesi i këtij shteti, Thomas Rial, ka deklaruar se në të ardhmen presin bashkëpunime edhe me agrobizneset kosovare, pasi sipas tij, potencialet bujqësore në këtë vend janë mjaft të mëdha.
Po e shoh se agrobizneset kosovare kanë kapacitete të mëdha prodhuese dhe kjo tregon se bujqësia në këtë vend është mjaft e zhvilluar, prandaj për këtë arsye edhe ne duhet të gjejmë mënyra konkrete, që në të ardhmen të bashkëpunojmë në këtë sektor, ka thënë Rial.
Ndërsa, përfaqësuesi i kompanisë Moea, Armend Malazogu, ka theksuar se bashkëpunimi me shtetet e zhvilluara, sidomos në fushën e shërbimeve këshillimore është i domosdoshëm, pasi në këtë mënyrë mund të përvetësohen praktikat e mira bujqësore dhe me prodhimet e tyre, mund të arijnë të depërtojnë edhe në tregje ndërkombëtare.
Për neve bashkëpunimi me shtetin e IOWA-s është i mirëseardhur, sepse e njohim si shtet bujqësor. Ne shpresojmë që të na vijnë ekspertë nga ky shtet dhe në të ardhmen, me prodhimet tona të depërtojmë edhe në tregjet e tij, ka pohuar Malazogu.
Ndryshe, gjatë takimeve që do të realizohen ditëve në vijim, Kosova dhe IOWA pritet të nënshkruajnë edhe disa marrëveshje të tjera bashkëpunimi.