BERZH do të ndihmojë avancimin e ekonomisë përmes bujqësisë
Prishtinë, 23 nëntor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim shefen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë (BERZH), Elena Petrovska, me të cilën kanë biseduar për avancimin e ekonomisë në vend, më theks të veçantë në sektorin e bujqësisë.
Ministri Krasniqi e njoftoi zonjën Petrovska për sfidat dhe të arriturat në bujqësi në Kosovë, duke theksuar ndikimin që ka bujqësia në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në rritjen ekonomike në vend.
Ai theksoi se vetëm në dy vitet e fundit nga qeveria janë investuar mbi 90 milionë euro që kanë bërë që të rritet prodhimi në shumë nën sektorë dhe të avancohet sektori i përpunimit.
Nga ana e saj zonja Petrovska vlerësoi të arriturat në bujqësi dhe shprehi gatishmërinë që BERZH të ndihmojë në avancimin e ekonomisë në vend edhe përmes bujqësisë.
Të dy palët u pajtuan që të vazhdojnë diskutimet për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në projekte të ndryshme që lidhen me bujqësinë dhe që mund të kenë ndikim të rëndësishëm në ekonominë e vendit.