26 Dhjetor 2024

Benefitet nga një tokë e administruar mirë janë gjithëpërfshirëse

Prishtinë, 19 maj - Si rezultat i një bashkëpunimi konstruktiv mes politik-bërësve dhe profesionistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, Republika e Kosovës vit pas viti po shënon ngritje të ndjeshme në kualitetin e administrimit të tokës dhe në ngritjen e sigurisë dhe vlerës së tokës.

Kështu u tha në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Administrimin e Tokës, ku mori pjesë edhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferid Agani, i cili tha se përvoja nga e kaluara tregon se duke ndjekur rekomandimet e dala nga ky Komitet, Qeveria ka mbështetur disa projekte kapitale që kanë ndikuar në ngritjen e vlerës dhe sigurinë e tokës. 

Agani tha se Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon mbështetje të mëtutjeshme nga donatorët rreth projekteve që ndikojnë edhe më tutje në avancimin e administrimit të tokës duke ndjekur trendet globale teknologjike të cilat mundësojnë administrim transparent, të sigurt dhe të qasshëm të tokës.

“Jemi të përkushtuar që të lehtësojmë administrimin e tokës si përmes avancimit të bazës ligjore që inkurajon zhvillimin e saj, po ashtu edhe përmes përkrahjes financiare dhe përkrahjes me ekspertë e cila as deri më sot nuk ka munguar”, tha ministri Agani.

Kryeshefi i Agjencionit Kadastral të Kosovës, Murat Meha, tha se perspektiva e administrimit të tokave ka efekte pozitive në zhvillim ekonomik, prandaj kadastra ka një rol kryesor në administrimin e tokave me koncept të qartë të të dhënave mbi pronat e paluajtshme dhe është pjesë qendrore e administrimit të tokave.

“Këto nuk mund të arrihen pa koordinimin e të gjitha institucioneve apo të gjithë aktorët vendorë dhe ndërkombëtarë, sepse të gjithë jemi të interesuar që të kemi një administrim të qëndrueshëm dhe afatgjatë”, shtoi Meha.

Në këtë takim ku ishin të pranishëm edhe donatorë të vendeve të ndryshme evropiane u konkludua se benefitet nga një tokë e administruar mirë nuk janë e drejtë e vetëm një grupi shoqëror, por ato janë gjithëpërfshirëse dhe ato benefite i vjel secili qytetar i Republikës së Kosovës pa dallim përkatësisë gjinore, fetare apo etnike.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)