22 Dhjetor 2024

BE ndihmon sektorin e bujqësisë me projekte të binjakëzimit

Prishtinë, 15 mars - Filloi të implementohet edhe një projekt i ri i binjakëzimit të sektorit të bujqësisë me bujqësinë e vendeve të Bashkimit Evropian.

Projekti i BE-së “Përkrahje për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në zhvillimin e legjislacionit, politikave dhe në zbatimin e Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural”, filloi edhe zyrtarisht sot në hotelin “Emerald”, ku u bë edhe prezantimi i tij.

Qëllimi i këtij projekti, i cili do të implementohet nga institucionet publike të Austrisë, Gjermanisë, Hungarisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Kosovë, sipas zyrtarëve të këtyre institucioneve, është që të ndihmojë në forcimin e strukturave administrative të ministrisë dhe shoqërisë civile në Kosovë, si dhe të ndihmojë në hartimin e politikave dhe zbatimin e programit kombëtar për bujqësi dhe zhvillim rural sipas parimeve dhe standardeve të BE-së.

   
Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se zhvillimet e deritanishme në krijimin dhe forcimin e kapaciteteve administrative janë mbështetur në mënyrë aktive nëpërmjet projekteve të ndryshme të Komisionit Evropian dhe procesi i transformimit në një vend evropian, me funksionimin, ligjet dhe rregullat është një proces i gjatë dhe i vazhdueshëm, në kuptimin e krijimit dhe forcimit të kapaciteteve drejtuese dhe zhvillimore.

“Programi i binjakëzimit si instrument i ndihmon vendet përfituese për të krijuar administratë moderne dhe efikase, me strukturat, resurset njerëzore dhe me aftësitë e nevojshme menaxhuese për zbatimin e rregulloreve dhe për përafrimin me vendet e Bashkimit Evropian."

"I tillë është edhe ky projekt që po starton sot, i cili do të na ofrojë kuadro dhe ekspertë të administratave të vendeve të Bashkimit Evropian për të na ndihmuar rreth përafrimit të legjislacionit, rreth krijimit dhe përafrimit të politikave, si dhe zbatimit të tyre duke i linjëzuar me Politikat e Përbashkëta Bujqësore të Bashkimit Evropian”, tha Stavileci. 

Ai tha se Ministria e Bujqësisë është një nga administratat e para në Kosovë që ka përfituar nga ky instrument në programin e IPA-s në vitin 2008 dhe tani janë të gatshëm të marrin përsipër obligime të reja, për t’i realizuar reformat që e shtyjnë sektorin të orientohet gjithnjë e më shumë drejt kërkesave të tregut.

Poashtu, edhe përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Melvin Asin, tha se presin që projekti të prodhojë një varg rezultatesh lidhur me ndërtimin e kapaciteteve dhe me formulimin e politikave në kuadër të ministrisë, të cilat do të shpiejnë kah krijimi i kushteve më të mira për reformen ekonomike brenda sektorit të bujqësisë.

“Parashohim që projekti do të ndikojë edhe tek fermerët dhe t’i orientoj aftësitë e tyre kah tregu i punës. Bazuar në përvojat tona të deritanishme, jam i bindur që përbërja e tanishme e binjakëzimit në kombinim me ministrinë do të prodhojë rezultate”, tha Asin.

Ndërsa, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Johan Briger, u shpreh i kënaqur me përparimin e arritur në shumë fusha dhe me bashkëpunimin ndërinstitucional në mes të Kosovës dhe Austrisë.

“Austria që disa vite në baza bilaterale ka përkrahur zhvillimin rural, sidomos në rajonin e Suharekës përmes projekteve të zbatuara nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe bujqësia është sektori i dytë pas arsimit në të cilin ne e kemi orientuar në masë të madhe përkrahjen tonë”, tha Briger.

Vlera e këtij projekti është rreth 2 milionë euro, ndërsa implementimin e tij do ta bëjnë Ministria Federale Austriake e Bujqësisë, Pylltarisë, Mjedisit dhe Menaxhmentit të Ujërave, Agjencia e Pagesave Agrarmarket e Austrisë, Ministria e Ekonomisë dhe Shkencës e Saarland-it të Gjermanisë, Ministria e Zhvillimit Rural e Hungarisë dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)