BE-ja dhe Kosova diskutojnë për bujqësi
Prishtinë, 18 mars - Përfaqësuesit e autoriteteve kosovare dhe të Komisionit Evropian u takuan në Prishtinë për të diskutuar për zhvillimet në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural, pylltarisë, peshkatarisë dhe sigurisë së ushqimit. Këto diskutime u mbajtën në kuadër të Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit.
Këto diskutime u zhvilluan mbi një numër temash, si shtimi i kontrollit në importin e ushqimit dhe kafshëve, fuqizimi i sigurisë së ushqimit brenda Kosovës, sistematizimi i futjes së të dhënave në bazën e të dhënave për identifikimin, regjistrimin dhe lëvizjen e kafshëve, statistikat për importin dhe eksportin bujqësor, dhe performanca e institucioneve përgjegjëse të Kosovës për bujqësi dhe siguri të ushqimit.
Konsumatorët e Kosovës meritojnë të ushqehen me ushqim të së njëjtës cilësi dhe siguri sikurse qytetarët e Bashkimit Evropian. Komisioni nënvizoi këtë se standardet e BE-së duhet të zbatohen në të gjitha nivelet: në kontrollimin e importit dhe të eksportit, në regjistrimin e kafshëve, në praktikat që lejohen për kultivimin e ushqimit, në mënyrën e përpunimit të ushqimit si dhe në etiketim dhe shitje. Në garantimin e këtyre standardeve janë të përfshirë një numër organesh të kontrollit: zyrtarët shëndetësorë, inspektorët, veterinarët, laboratorët. Të gjitha këto janë themeluar në Kosovë dhe janë në proces të fuqizimit të standardeve të BE-së.
Pjesëmarrësit diskutuan po ashtu mesazhet kryesore të Organizatave të Shoqërisë Civile për një numër temash, si bujqësia organike e cila po prezantohet në Kosovë.
U diskutua edhe për pylltarinë, meqë Kosova po bën përpjekje për balancimin e përfitimeve ekonomike nga një burim i tillë i gjerë dhe nevojës për të ruajtur këto pyje për të ardhmen.
Në këtë takim u shqyrtua edhe mënyra më e mirë për përqendrimin e asistencës së BE-së në këtë sektor. Bujqësia dhe Siguria e Ushqimit kanë përfituar nga asistenca e konsiderueshme që është ofruar deri më tash nga BE, përfshirë një numër skemash të granteve rurale; kjo do të vazhdojë të jetë një prioritet në të ardhmen.
Informata mbi historikun
Dialogu për PSA është një kornizë në kuadër të së cilës Bashkimi Evropian dhe administrata e Kosovës diskutojnë rregullisht çështjet teknike dhe politike lidhur me agjendën evropiane. Dialogu i PSA monitoron dhe përcjell reformat në Kosovë, veçanërisht për sa i përket prioriteteve të përcaktuara në Partneritetin Evropian, dhe po ashtu identifikon mënyrën se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces. Takimet sektoriale dhe plenare të Dialogut për PSA bashkëkryesohen nga Bashkimi Evropian dhe qeveria. Çdo takim rezulton në veprimet që do të ndërmerren nga autoritetet kosovare. Shtatë fusha mbulohen në këto takime sektoriale, dhe ato ndjekin nga afër formatin e dialogut që e ka BE-ja me kandidatët e tjerë dhe me kandidatët potencialë.