Bashkëpunimi rajonal, progres i qëndrueshëm ekonomik
Prishtinë, 26 prill - Shkëmbimi i përvojave dhe ideve në mes vendeve të rajonit është i domosdoshëm për përmirësimin e politikave bujqësore dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale në nivel kombëtar dhe rajonal. Kështu u shpreh ministri Krasniqi në takimin që e zhvilloi sot me Sekretarin e Grupit Punues Drejtues (SWG) për Zhvillim Rural Rajonal, Boban Iliq.
Me këtë rast, ministri Krasniqi e njoftoi më hollësisht Sekretarin e SWG-së me zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë, si dhe për programet zhvillimore të kësaj ministrie dhe gjithashtu shprehu gatishmërinë që këtij grupi punues tu ofrojë përkrahje në çdo nevojë që u paraqitet.
Në anën tjetër Iliq e falënderoi ministrin Krasniqi për pritjen dhe duke qenë i njoftuar me zhvillimet ekonomike në vend, ai shprehu edhe njëherë gatishmërinë që të dyja organizatat të vazhdojnë bashkëpunimin e mëtejmë për të arritur progres në sektorin e bujqësisë, si në nivel vendesh gjithashtu edhe në nivel rajonal.
SWG është një organizatë ndërkombëtare ndërqeveritare, e cila përbëhet nga institucionet qeveritare, përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural në vendet e Evropës Juglindore.